2020 me rritje historike të fataliteteve, Nurja në ABC: Lezha ka numrin më të madh të vdekjeve

schedule19:47 - 19 Shkurt, 2021

schedule 19:47 - 19 Shkurt, 2021

Pandemia ka shkaktuar një rritje rekord të numrit të vdekjeve gjatë vitit 2020 në Shqipëri.  Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në total gjatë këtij viti pandemik janë regjistruar 5, 668 humbje jete më shumë.

Pra, krahasuar me vitin 2019, kemi një rritje prej 25.8% të fataliteteve. Duke komentuar shifrat shqetësuese, Ines Nurja, ish-drejtoresha e INSTAT u shpreh se siç mund të kuptohet, rritja drastike ka lidhje me Covid-19.

Në një intervistë me Sibora Bitrin në “Radari Informativ” në ABC, zonja Nurja tha se një ndryshim i tillë në shifra nuk ka ndodhur asnjëherë në vendin tonë.

“Shifrat gjithnjë variojnë, por asnjëherë nuk ka pasur një ndryshim të tillë, por ka ndodhur kudo. Mbase në Shqipëri me një kriter shumë të lartë. Ky nuk është një fenomen i përvitshëm. Ka lidhje direkt me Covid.”

Në të dhënat e publikuara në Eurostat rezulton po ashtu që Shqipëria ka shifrat më të larta të vdekshmërisë gjatë këtij viti, e pasuar nga Spanja, ndërsa, vendet e tjera sipas Ines Nurjes kanë rritje por me nivele më të ulëta se të vendit tonë.

Problem në rastin tonë, sipas asaj që u shpreh Nurja është raportimi i vdekjeve.

“Raportimi është bërë me një vonesë të pajustifikueshme. Vendet e rajonit, Serbia ka të dhëna mujorë. INSTATi ka të njëjtat mundësi dhe mund ta bëjë raportimin. Ky raportim është i pafalshëm. Kjo është një shifër alarmante që duhet në na çojë në masa që duhen marrë më tej. Duhej një raportim mujor, për të njohur gjendjen dhe për të marrë masa.”

Por çfarë e pengoi INSTAT-in që të bënte raportime mujore? Sipas Ines Nurjes, asgjë!

“Sikur të ishte preokupuar pak më tepër mund t’i nxirrte të dhënat në muaj.  Arsyeja, për ta shtyrë më tepër, shifrat janë drastike.”

Ndërsa, sa i përket shkaqeve të vdekjeve të regjistruara, këto INSTAT i raporton në fillim të majit, por gjithsesi varet nga ajo që kanë shënuar mjekët tek skedat përkatës.

“Kur plotësohet skeda e vdekjes, raportohet edhe arsyeja. Në fillim të majit do të dalin edhe arsyet e vdekjes. Ministria e Shëndetësisë nuk llogarit ata që humbin jetën në shtëpi.”

Në renditjen sipas qarqeve, sipas të dhënave të Ines Nurjes, rezulton se numri më i madh i vdekjeve është regjistruar në Lezhë ku rritja ka qenë me 34 për qind.

“Lezha pasohet nga Tirana, Elbasani. Nivel më të ulët ka Dibra. Fieri ka një rritje të vdekjeve me 29 për qind. Elbasani 31 për qind. Korça, jo rritje e madhe, 21 për qind.” sb/abcnews.al/