Tetë pacientë kanë ndërruar jetë nga Covid-19 në 24 orët e fundit më Kosovë, ndërsa janë konfirmuar 249 raste të reja me koronavirus nga 804 testime të kryera në total.
Numri i të shëruar nga virusi vdekjeprurës në 24 orët e fundit është 1 mijë e 129.
Kosova, javëve të fundit, ka regjistruar shifra të larta të të infektuarve me koronavirus, për dallim nga javët e fundit të vitit të kaluar.
Më 26 janar është raportuar rekord rastesh,mbi 4,300, për dallim prej dhjetorit kur rastet ditore të të infektuarve kanë qenë njëshifrore.
Autoritetet shëndetësore besojnë se varianti Omicron i koronavirusit është dominues në Kosovë.
Ky variant është cilësuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Për herë të parë është identifikuar në muajin nëntor të vitit të kaluar në Afrikë të Jugut dhe që atëherë është përhapur në qindra vende të botës.
OBSH ka konstatuar se varianti mund të shkaktojë simptoma më të lehta të sëmundjes, por është më ngjitës se çdo variant i mëparshëm./abcnews.al/