“Nuk zgjedhim mes Tiranës e Prishtinës”/ Fetai: Përfshirja e Kurtit në zgjedhje, jo problem. Taravari: Pavarësisht gjithçkaje, Rama duhet të respektohet

schedule20:52 - 25 Nëntor, 2024

schedule 20:52 - 25 Nëntor, 2024

Zëvendëskryeministri i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai thotë se përfshirja e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit në fushatë gjatë zgjedhjeve të shtetit fqinj, nuk është një problem.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, ai tha se Shqipëria është shteti amë i shqiptarëve, por shtoi se Prishtinën e shohin si kryeqytetin e tyre në kuadër të ish Jugosllavisë.

Ndërkohë, Arben Taravari tha se pavarësisht kritikave ndaj Edi Ramës, ai mbetet kryeministri i Shqipërisë dhe duhet të respektohet.

Pjesë nga diskutimi:

Arben Fetai: Më pengon kjo tendencë për të na vënë në një tendencë për të zgjedhur midis Prishtinës dhe Tiranës. E tha kryetari, Tirana është shteti amë. Në anën tjetër, Prishtina është kryeqyteti jonë në kuadër të ish Jugosllavisë. Ne jemi rritur me Prishtinën, kemi studiuar, punuar në Prishtinë dhe jemi aty. Nuk duhet të vihemi në pozicion ku duhet të zgjedhim. Kjo dilemë nuk është shtruar asnjëherë përpara. Në kohën e Thaçit askush nuk ka thënë a po zgjidhni midis Ramës apo Thaçit, apo Haradinajt.

Sokol Balla: Unë flas për Shqipërinë dhe Kosovën, nuk i referohem emrave të përveçëm.

Arben Fetai: Tani përfshirja e VV dhe Kurtit në fushatë nuk është problem në vete dhe nuk duhet të problematizohet nga shqiptarët. Në RMV ka parti serbe, boshnjake, që ndërlidhen me Stambollin dhe kjo nuk përbën aspak problem. Unë kam jetuar në Belgjikë, kam marrë pjesë me partinë socialiste belge në fushatën e Macron si president në mandatin e tij presidencial. Kjo nuk përbën askund problem por vetëm te ne, kur futet në garë elektorale Kurti dhe VV.

Sokol Balla: Ju duket normale që Ballkani Perëndimor nuk është Beneluksi…

Arben Fetai: Ka përvoja që kanë ndodhur. Bëhet fjalë për një parti po që futet në garën elektorale dhe në garë në shtetin amë.

Sokol Balla: Bëhet fjalë për një parti politike që futet në garën elektorale në një vend me ekuilibra delikatë si RMV dhe futet në garë në shtetin amë. Nuk po flasim për ndërhyrje shtetërore por që sigurisht përbën një fenomen për të cilën së paku mund të flasim.

Arben Taravari: Gjeni një deklaratë të Kurtit në 1 muaj e gjysmë fushatë që është pro VLEN. Asnjë s’ka përveç disa fotografive.

Mentor Nazarko: Ai emëroi zv kryeministrin që ishte i LSDM, erdhi e takoi. U takua me juve në versione të ndryshme.

Arben Taravari: Unë ju gjej disa deklaratë të zotit Rama që publikisht ka thënë fjalët më të mëdha për Ali Ahmetin disa ditë para zgjedhjeve. Dy tre ditë para fushatës lavdëron Ali Ahmetin si burrë më i mençur, më i mirë në RMV, shqiptari më i madh, që mendoj se një kryeministër i një shteti amë nuk do të ishte e preferuar që të merrej. Pavarësisht të gjithave kryeministri i Shqipërisë është zoti Rama dhe është institucion që duhet të respektohet. Të gjitha janë harruar, fiushata ka mbaruar, gjithashtu kemi respekt edhe për zotin Kurti dhe ne patjetër do të kemi raporte korrekte edhe me Prishtinën dhe me Tiranën. Edhe ai si institucion duhet ta pranojë qeverinë dhe faktorin shqiptar./abcnews.al