Erling Haaland i vuri “qershinë mbi tortë” këtij sezon të parë të mrekullueshëm me fanellën e Manchester City, teksa mbrëmjen e djeshme realizoi golin e 51-të sezonal në triumfin ndaj Ëest Ham, duke i dhuruar “qytetarëve” vendin e parë në Premier League.
Tashmë 22-vjeçari ka arritur të grumbullojë plot 35 gola në llogarinë e tij, duke vendosur rekordin absolut, si golashënuesi më i mirë brenda 1 sezoni në historinë e Premier League, rekord ky që mund të thellohet ende, me 5 ndeshjet e fundit ende të pazhvilluara.
“Vikingu” theu rekordin e Andy Cole e Alan Shaerer, të cilët shënuan nga 34 gola në sezonet 1993/94 dhe 1994/95, me Premier League asokohe që kishtë 42 ndeshje në sezon e jo 38 si sezoni aktual.
Menjëherë pas ndeshjes, Haaland foli për mediat për arritjen e tij që në sezonin e parë në Kampionatin anglez, si dhe tregoi mënyrë si do “festojë” rekordin menjëherë sapo të mbërrijë në shtëpinë e tij.
“Jam shumë i lumtur për rekordin, por nuk e mbaj mendjen te rekordet e radhës. Sepse çmendem dhe shpërqendrohem. Unë po mendoj për ndeshjen ndaj Leeds United dhe si të fitojmë 3 pikët e radhës.
Do të shkoj në shtëpinë time dhe do të luaj disa video lojëra. Do të ha diçka dhe më pas do të fle. Çfarë video lojërash luaj? Nuk ua tregoj dot njerëzve, është shumë e turpshme”,- u shpreh “bomberi” norvegjez tepër i ngazëllyer pas arritjes historike. /i.m /abcnews.al