Nuk u regjistrua asnjë student, mbyllen dy programe studimi në Universitetin e Gjirokastrës

schedule12:22 - 19 Tetor, 2023

schedule 12:22 - 19 Tetor, 2023

Në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër janë mbyllur dy programe studimi. Gazetari Elidon Berberi tha për ABCNews se dy programet e degës së Historisë Gjuhës Italiane dhe Matematikë-Informatika kanë kaluar joaktive për vitin 2023-2024

“Dy programet e degës së Historisë – Gjuhës Italiane dhe Matematikë-Informatika kanë kaluar joaktive për vitin 2023-2024. Në këto dy programe nuk ka pasur asnjë student që të ishte regjistruar. Nuk mund të flasim për mbyllje totale, pasi rregulloja parashikon që ato të jenë në pritje të studentëve për tre vite”, tha gazetari.

Zëvendës rektori i Universitetit Jaho Canaj në një intervistë për ABCNews u shpreh: “Në total janë regjistruar rreth 450 studentë , një numër më i lartë se numri i studentëve që u shpallën fitues vitin e kaluar. Pothuajse të gjitha degët janë aktive, me përjashtim të programit të studimit në Histori dhe Gjuhë Italiane si edhe programi Fizikë Informatike. Në të dyja këto nuk kishim asnjë aplikant dhe për këtë vit do të shpallen joaktive dhe nëse për 3 vite nuk do të ketë asnjë student atëherë do të fillojnë procedurat e mbylljes”, ka thënë ndër të tjera ai./abcnews.al/