“Nuk u pajtova kurrë me Metën kur u bashkua me Berishën”, Pëllumb Xhufi: Sot, LRI është parti pa konture

schedule10:20 - 7 Maj, 2024

schedule 10:20 - 7 Maj, 2024

Ish-deputeti dhe historiani, Pëllumb Xhufi ka deklaruar në emisionin “Pas Mesnate” se në kohën kur u angazhua në LSI, nuk u pajtua kurrë me Ilir Metën në momentin kur u bashkua me Sali Berishën.

Ai e konsideroi aleancën e PD të pafalshme, pasi Berisha ka bërë shumë mëkate antikombëtare.

Sipas Xhufit, sot LRI është parti pa konture dhe me bindje konfuze.

“U thirra në ’97 nga miku dhe kolegu im Paskal Milo në Ministrinë e Jashtme. Bëmë një bisedë dhe thash po shkëputem për pak kohë, pasi në ’97 kishte humbur qetësia në institucionet shkencore. Më duket sikur më humbte koha e çmuar dhe qëlloi që ishte një përvojë e jashtëzakonshme, pasi përkoi dhe me krizën dhe luftën në Kosovë. Kanë qene 4 vjet intensiv, unë u bëra drejtor i Ballkanit në atë kohë, u bëra dhe zv. ministër i Jashtëm. Kemi përballuar këtë krizë dhe jo vetëm këtë. Më vonë, më tërhoqi politika, kisha dhe unë rezervat e mia se isha përfaqësues i Shqipërisë në Romë dhe ndiqja zhvillimet politike. Gjithmonë prap i ftuar nga miq, shokë, për një shkëputje për pak kohë, që zgjati 4 vjet të mira. Kalova në LSI. Gjithmonë dhe në LSI jam marrë me problemet që unë njihja, probleme të politikës së jashtme, rajonit, ato kam ndjekur me preferencë derisa u largova nga LSI.

Tani është LRI dhe e shoh si një kapërcim që ne në atë kohë as nuk e mendonim. Ne shkuam për një parti që të godiste të metat e mëdha dhe gabimet e politikës shqiptare. Ky ka qene qëllim i imi dhe i shumë shokëve të mi. Në fakt përfundoi me një aleancë të paprinciptë me PD-në e zotit Berisha, e cila për mendimin tim është një parti që ka bërë shumë vepra antikombëtare dhe e kam të vështirë ta përcaktoj si një parti që ka bërë interesat e Shqipërisë.

Ne u krijuam si një parti anti-Berishë dhe anti-Nano, sot kryetari i saj e ka shpallur si një parti me konture të papërcaktueshme, ose më mirë të themi me konture të një partie anti-liberale”, u shpreh ai./abcnews.al