Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë , Belinda Balluku, tha se qeveria do të kompensojë ofruesit e shërbimit të transportit publik qytetas dhe ndërqytetas.
Gjatë takimit me përfaqësues të shoqatës së transportit për të prezantuar Paketën e Rezistencës sociale, Balluku tha se qeveria nuk e pranon rritjen e çmimit biletave për transportin publik, e për këtë arsye ofruesit e shërbimit do të kompensohen me 100 lekë për çdo litër naftë.
“Për ne rritja e çmimit të biletës nuk është e pranueshme. Do të kompensojmë me 100 lekë çdo litër naftë qe ju përdorni për transportin tuaj. Kompensimi do bëhet në drejtorinë e tatimeve. Do bëjmë kompensimin real të naftës.
Kompensimi do të vijë nëpërmjet Drejtorisë së Tatimve, duke qenë se ata kanë të gjitha të dhënat. Dhe ne do u referohemi të dhënave nga konsumi që keni pasur një vit më parë, pasi është e pamundur që ne t’i referohemi konsumit aktual. Do kishte vonesë dhe do kishte abuzime.
Kështu që duke u referuar konsumit të një viti më parë dhe Drejtorisë së Tatimeve ne do të arrijmë që të bëjmë kompensimin real të naftës bazuar mbi shifrat që ju keni përdorur në të njëjtën kohë në vitin e shkuar”, tha Balluku.
Balluku u thotë se shërbimi i transportit duhet të bëhet më cilësor, për të tërhequr dhe ata qytetarë që deri më sot janë përdorur automjete.
“Mos harroni që shërbimi juaj të bëhet i mundshëm edhe për ata që deri më sot kanë përdorur automjete. Rritja e cilësisë së shërbimit në këto momente është shumë e rëndësishme. Nëse ata përdorin transportin urban kjo gjë do të sjellë ulje të konsumit të karburantit dhe do të ulte trafikun”, tha Belinda Balluku./abcnews.al/