Gjykata e Tiranës ka dhënë arsyet e mospranimit të kërkesës të gjyqtarit Agron Zhukri, i cili kërkoi të mos nga shqyrtonte statutin e ri të PD, të miratuar në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha.
Zhukri dha dorëheqjen nga shqyrtimi i kësaj çështje, duke deklaruar se ishte në konflikt interesesi me Berishën, por kërkesa e tij nuk u pranua nga gjykata.
“Kryetari i Gjykatës, pasi ka vlerësuar arsyet e paraqitura nga z. Zhukri, për përjashtimin e tij nga shqyrtimi i çështjes, ka vendosur mospranimin e kërkesës dhe vijimin e gjykimit të çështjes nga i njëjti gjyqtar.
Kërkesëpadia e paraqitur në vitin 2018, është një gjykim themeli me palë ndërgjyqëse paditës dhe i paditur, ndërkaq që kërkesa e paraqitur në vitin 2021, është një kërkesë për depozitim ndryshimesh të statutit të partisë paraqitur nga një grup individësh”, argumenton gjykata ndër të tjera.
Reagimi i plotë nga gjykata:
Duke marrë parasysh interesin e lartë të mediave, shtypit të shkruar, por edhe portaleve të ndryshme në lidhje me depozitimin e kërkesave të Partisë Demokratike të Shqipërisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të plotësuar informacionin që aktualisht disponohet nga ju, informojmë sa vijon:
Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është paraqitur më datë 13.12.2021, kërkesa me Nr. 1337 Akti, kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm z. Gazment Bardhi me objekt: Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.7.2021, kërkesë e cila pasi ju nënshtrua procedurës së shortit aktualisht ndodhet për gjykim pranë gjyqtare znj. Blerina Muça.
Gjykata, në zbatim të nenit 1, 2 dhe 154/a të Kodit të Procedurës Civile, nuk mund të refuzojë të shqyrtojë dhe të japë vendime për çështjet që i paraqiten për shqyrtim, për palët që vënë në lëvizje gjykatën për fillimin e një procesi gjyqësor, përveç kur ligji parashikon ndryshe.
Kërkesëpadia/ kërkesa kur paraqitet në gjykatë nga paditësi/kërkuesi, përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë ose nëpërmjet postës iu caktohet gjyqtarëve me short.
Referuar të njëjtës bazë ligjore, Kryetari i Gjykatës, pasi ka vlerësuar arsyet e paraqitura nga z. Zhukri, për përjashtimin e tij nga shqyrtimi i çështjes, ka vendosur mospranimin e kërkesës dhe vijimin e gjykimit të çështjes nga i njëjti gjyqtar.
Kërkesëpadia e paraqitur në vitin 2018, është një gjykim themeli me palë ndërgjyqëse paditës dhe i paditur, ndërkaq që kërkesa e paraqitur në vitin 2021, është një kërkesë për depozitim ndryshimesh të statutit të partisë paraqitur nga një grup individësh.
Informojmë gjithashtu se, gjyqtarët respektivë kanë dijeni për të dyja kërkesat e paraqitura të cilat do të gjykohen në zbatim të Ligjit Nr. 8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, i ndryshuar.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton që gjyqtarët janë të pavarur në ushtrimin e funksioneve, i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve. Dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi, ndërhyrjeje apo paragjykimi, nga palët në proces dhe nga subjektet publike ose private, si kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e udhëhequr ndër të tjera edhe nga parimi i transparencës, është në gatishmëri të publikut dhe medias për çdo informacion sqarues.
g.v/abcnews.al