“Nuk meritoja shok si Lorenzo, me Marquez pajtohem pas 30 vitesh”, Rossi flet për rivalët

schedule17:18 - 1 Shtator, 2021

schedule 17:18 - 1 Shtator, 2021

Valentino Rossi, prej pak më shumë se një muaji, ka bërë të ditur vendimin për t’u tërhequr në fund të sezonit. Kështu, çdo Çmim i Madh kthehet në një moment special për t’u shijuar deri në fund.

Kur mbyllet një karrierë e tillë me 9 tituj kampion bote e shumë rekorde, bilancet janë të paevitueshme. Një të tillë bën në intervistën e tij piloti italian, që flet edhe për rivalët, mes tyre edhe Marc Marquez, me të cilin nuk ka shkuar aspak mirë.

“Është një rival i madh, shumë i fortë dhe i shpejtë, një ndër më të mirët. Por me të nuk ndihem shumë mirë, e kam të vështirë të luftoj kur është në pistë. A do pajtohem me të? Për këtë flasim pas 20 apo 30 vjetësh”, tha ai fillimisht.

Tërësisht i ndryshëm ishte komenti i tij për dy kundërshtarë të tjerë historikë: “Casey Stoner ka qenë një ndër pilotët më të talentuar dhe më të vështirë për t’u mundur. Për mua, nëse flitet për talentin e pastër, ai është i pakrahasueshëm. I njëjti diskutim vlen edhe për Jorge Lorenzon”.

Momentet e rivalitetit të madh me spanjollin janë lënë pas, siç demonstron edhe një batutë e Valentinos. “Nuk meritoja një shok si Lorenzo pas asaj që kisha bërë për Yamahan. Kisha nevojë për dikë më të ngadaltë”.

Në fund, edhe një rrëfim. “Doktori” ka qenë gjithmonë një mjeshtër në parakalime, por nga kush e ka marrë frymëzimin për të perfeksionuar artin e shkëputjes? Valentino shpjegon: “Alex Barros, mendoj se ka qenë një nga pilotët prej të cilëve kam mësuar të frenoj dhe të futem në kthesë”, përfundoi Rossi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!