Nuk mbanin maskë në rrugë, policia gjobit 688 qytetarë, 13 kokëfortë dërgohen në komisariat

schedule14:45 - 25 Tetor, 2020

schedule 14:45 - 25 Tetor, 2020

Gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me gjobë 3000 lekë, 688 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse në rrugë, ndërsa 13 që nuk pranuan të jepnin kartën e ID-së janë dërguar në komisariat, ku pasi u janë marrë të dhënat janë lënë të lirë.

Gjatë kontrolleve në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse edhe gjatë orëve të mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar edhe 556 qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat mbrojtëse. Për këtë arsye, secili prej tyre është ndëshkuar me masën administrative me vlerë 3.000 lekë.

Gjithashtu, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 132 pasagjerë që janë konstatuar pa maska në automjete private (pa lidhje familjare me drejtuesin e mjetit) dhe pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 13 persona që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19” njofton policia.