“Nuk keni parë gjë akoma”/ Trajneri Sylvinho paralajmëron pas fitores me Ukrainën: Jemi përmirësuar pas Evropianit

schedule16:56 - 8 Shtator, 2024

schedule 16:56 - 8 Shtator, 2024

Si mund të jetë ndryshe pas një suksesi të tillë?

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, vlerësoi lojtarët e tij për paraqitjen ndaj Ukrainës, një lojë që një përballje të pritur shumë të vështirë, e kthyen në një triumf të merituar.

Braziliani foli thjeshtë dhe padyshim ishte I kënaqur.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ukraina është skuadër e fortë. E kam thënë edhe më parë. Ka lojtarë të fortë teknikisht dhe fizikisht. U thashë lojtarëve se do të vuanim, por ata luajtën shumë mirë. U mbrojtën mirë, sulmuan mjaft mirë. Edhe pozicioni i Bajramit, pak më nga brenda ishte i goditur. Çdo gjë që kërkova, ata e realizuan në fushë. E dija se do të kishte qenë ndeshje e bukur, sepse Ukraina ka ekip shumë të mirë dhe ofensiv. Edhe ne u paraqitëm shumë mirë. Jam I kënaqur nga të gjithë, praktikisht”,- u shpreh fillimisht Sylvinho.

Duket se Shqipërisë i ka bërë mirë përvoja në Evropian.

“Është e vërtetë, që kemi një skuadër pak më të pjekur. Lojtarët kanë mësuar shumë nga Europiani, por nuk duhet të harrojmë se jemi skuadër në rritje. Nuk është ende gati. Është përmirësuar shumë, por kemi shumë lojtarë të rinj. Është një përzierje me disa lojtarë me përvojë në kombëtare. Këtë herë nuk ishte kapiteni, Gjimshiti, por ishte Hysaj që luajti shumë mirë”,- u ndal më tej strategu brazilian.

Gjithsesi, Ukraina duhet harruar shpejt sepse të martën kemi përballë Gjeorgjinë.

“E përsëris se ne e kishim studiuar Ukrainën, por po ashtu Gjeorgjinë. Është një grup shumë i vështirë. Edhe Çekia është skuadër e fortë. Të martën kemi përballë një kundërshtar shumë të ashpër, të organizuar. Luajnë me skemën 3-5-2, kanë lojtarë me talent, që vrapojnë shumë. Sulmojnë, mbrohen. Kanë trajner shumë të mirë. Lojtarë të mëdhenj. Nuk e kam parë ndeshjen ndaj Çekisë, por e kam të qartë se të martën përpara nesh është një ndeshje shumë e vështirë”,- u shpreh “numri 1” i pankinës së “Legjionarëve”, për sfidën e radhës.

Sylvinho deklaroi se ishte normale që Ismajli ishte në stol në Evropian, duke sqaruar se këto janë zgjedhje të detyruara.

Për përplasjen mes Manajt dhe Asllanit për goditjen e dënimit, trajneri bëri shaka duke thënë se herën tjetër do ta gjuajë vetë, ose do ta gjuajë ndihmësi i tij, Doriva. /i.m /abcnews.al