“Nuk kemi kulturën e kontrollit”, kardiokirurgu: “Armiku” kryesor i zemrës infarkti, 8 në 1 mijë fëmijë lindin me probleme

schedule12:27 - 16 Shtator, 2022

schedule 12:27 - 16 Shtator, 2022

Zemra është organi që bën pastrimin e gjakut. Dhe në rastin e sëmundjeve të zemrës kemi prishje te funksionit te saj si pompë. Kjo do të vështirësojë punën e organizmit si dhe nuk do të lejojë furnizimin e tij me oksigjen dhe lëndë ushqimore.

Kardiokirurgu Altin Veshti, i ftuar në studion e “Abc Live”, në Abc me gazetaren Sibora Bitri theksoi se problemi kryesor i zemrës është infarkti. Sipas tij, shqiptarët ende nuk e kanë kulturën për të kryer vizita të vazhdueshme dhe kontrolle rutinë dhe shkojnë në spital në gjendje të rënduar.

Veshti: Në Shqipëri problemi kryesor i zemrës është problemi me arteriet koronare, ose infarktet. Ne ende në Shqipëri nuk kemi arritur kulturën që të bëjmë vizita dhe të ndiqemi. E kemi krenari të themi që unë jam 75 vjeç dhe nuk kam marrë asnjë aspirinë. Pastaj vijnë në gjendje shumë të rënduar dhe në asnjë vend të botës nuk ekziston ai butoni magjik që i kthen 20 vite më parë. Në Shqipëri nuk janë shtuar sëmundjet, por është shtuar diagnoza.

Për sa i përket problemeve të zemrës te fëmijët e vegjël, kardiokirurgu tha se disa patologji janë të vështira të dallohen si nga prindërit ashtu edhe nga mjeku. Është e rëndësishme që një fëmijë i porsalindur t’i  nënshtrohet ekzaminimeve të plota, përfshirë ekon e zemrës.

Veshti: Patologjitë e lindura të zemrës janë disa lloje. Ka patologji që nuk vihen re as nga prindërit, as nga mjeku. Jo gjithmonë një patologji jep një shenjë në momentin e lindjes, por mund ta japë gjatë viteve. Prandaj këshillohet një eko e zemrës në momentin e lindjes. Kemi pasur fëmijë që i kemi operuar në 10 ditët e para të jetës, ka fëmijë që operohen 3, 7, 10 vjeç. Incidenca ose numri i fëmijëve me probleme në zemër varet nga lindja. Nëse lindjet janë të larta, numri i fëmijëve me probleme në zemër do jetë më i madh. 8 në çdo 1000 linde kanë një problem të vogël ose të madh në zemër. Në se Shqipëria do kishte 40 mijë lindje në vit, do ishin diku te 300 fëmijë që mund të kenë një problem në zemër. Jo të gjithë këta kanë nevojë për ndërhyrje.

Sipas Veshtit, meritokracia në punësim ka bërë hapa të mëdhenj, por ende nuk jemi aty ku duhet. Në gjykimin e kardiokirurgut, në mjekësi duhet të hyjnë njerëz me kapacitet intelektual pasi është një fushë që nuk të lejon të gabosh.

Veshti: Sot është më ndryshe realiteti sepse dikur njerëzit thoshin vetëm jashtë dhe nuk kishin besim te realiteti shqiptar. Investimi tjetër shumë i rëndësishëm është në teknologji. Meritokracia ka bërë hapa të mëdhenj, por nuk jemi aty ku duhet. Në Amerikë nuk të pyesin fare se si quhesh, por a di ta bësh këtë. Edhe ne drejt kësaj duhet të shkojmë. Në mjekësi duhet të futen njerëz me kapacitete intelektuale. Në mjekësi duhet të futen më të mirët sepse është pjesa që nuk të lë të gabosh, këta studentë që janë ekselentë duhet të promovohen dhe të motivohen. Duhet t’i dimë kush janë.

Së fundmi, mjeku këshilloi të gjithë prindërit që foshnjat e porsalindura të kryejnë vizitën kardiologjike në mënyrë që të zbulojnë që në fillim problemet. Sipas tij, parandalimi është më i lehtë se kurimi.

Veshti: Gjithë fëmijët që lindin në Shqipëri bëjnë ekon morfologjike. Gjinekologët janë bërë më të aftë në kapjen e problemeve me zemrën. Nëse një gjinekolog dyshon nuk duhet ta lëmë pas dore. Një beb që sapo lind, një pediatër nuk lë asnjë fëmijë pa dëgjuar.

Bebet duhet të dëgjohen kanë apo nuk kanë zhurmë. Duhet bërë një vizitë kardiologjike e vërtetë sidomos për fëmijët që fillojnë sportin, futbollin, palestrën etj. Parandalimi është shumë më i thjeshtë se kurimi në gjendje të rënduar./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!