Nuk kanë marrë ende rrogën e marsit, punëtorët e inceneratorit të Elbasanit në protestë

schedule11:04 - 13 Qershor, 2022

schedule 11:04 - 13 Qershor, 2022

Punonjësit e inceneratorit të Elbasanit janë ngritur sërish në protestë.

Arsyeja është e njëjtë; mosmarrja e pagave.

Sipas tyre nuk kanë marrë ende rrogën e muajit mars, pasi firma u tërhoq ndërsa më pas incenetaroti i kaloi bashkisë së Elbasanit.

“Ne kërkojmë sipas rregullave, sipas kontratës së punës, rrogën e marsit. Na e mbajtën rrogën, plus që kaluam me bashkinë dhe rrogat na i mohuan. Unë jam viti i tretë që punoj këtu. Këta kanë nga 5 vjet që punojnë këtu dhe i mohohet rroga 293 mijë lekë. Me 293 mijë e përballon dot situatën e shtëpisë? Mua më vijnë 50 mijë drita, 10 internet, plus ujë. Po ushqim me çfarë do marr unë?  Ne e kemi pezulluar punën, dhe dje e pezullova. Puna është shumë e vështirë, krijojmë alergji të brendshme, plus lëkura. Kushtet janë shumë të vështira dhe nuk kemi trajtimet”, thotë njëri nga punëtorët e pranishëm në protestë.

Me kalimin e inceneratorit ne pronësi të bashkisë, punëtorët thonë se i është ulur paga, ndërsa nuk marrin  as atë minimale.

“Rrogën e muajit mars nuk e kemi marrë, nuk e di pse na mohohet. Ne kemi punuar. Na është mohuar gabimisht a me qëllim nuk e di. Duam rrogën e muajit mars dhe rrogën që na takon me këtë firmën që e ka marrë bashkia tani. 293 mijë lekë që marr, kam ardhur të shtunë të diel më ka paguar 500 lek, 250 lekë dita. Unë kam 7 vite e gjysmë këtu. Është shumë e vështirë të punosh. Na dhemb mesi nga peshat. Nëse nuk gjejmë zgjidhje do ik nga puna dhe më mirë të mbledh kanaçe. Ne duam të vijnë të na sqarojnë për çfarë arsye dhe të na i japin rrogën”, thotë një tjetër./abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!