“Nuk kam humbur asnjëherë”, Basha tërheq fjalët mbrapsht: 6 marsi mësim i madh

schedule10:41 - 10 Mars, 2022

schedule 10:41 - 10 Mars, 2022

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është tërhequr nga deklarata e tij e bërë vetëm një ditë pas humbjes së zgjedhjeve të 6 marsit, ku tha se ai personalisht nuk ka humbur asnjëherë në asnjë betejë.

Vetëm tre ditë pas kësaj deklarata duket se Basha i ka tërhequr fjalët e tij, duke u bindur për humbjen që pësoi në zgjedhjet e 6 marsit. I pari i PD-së u shpreh se 6 marsi ishte një humbje dhe një mësim i madh për atë dhe Partinë Demokratike, ku sipas tij kanë nisur një proces për të bërë analizën e rezultateve negative.

I pyetur nëse do të largohet nga posti si kreu i PD-së, Lulzim Basha theksoi se është i gatshëm të ndërmarrë çdo veprim.

“Do vazhdojmë me mbledhjen e kryesisë. Jemi në proces reflektimi dhe do të marrim përgjegjësitë duke filluar nga unë i pari. Nëse unë paragjykoj se çfarë do ndodhë pa folur me bashkëpunëtorët… Kryetarët e degëve kanë kontakt me strukturat në bazë. Jemi në proces reflektimi dhe duhet të respektojmë ata njerëz që kanë mendimet e tyre. Prandaj jemi në një proces, një proces që nisi pas 6 Marsit dhe do të vazhdojë. Është një proces i thellë reflektimi me një synim, interesin më të mirë të demokratëve.

Jam gati të bëj çdo gjë në interesin më të mirë të PD. Jam gati të bëj çdo gjë në interesin më të mirë të PD, por duhet të keni pak durim. PD do të dalë nga ky proces e fortë dhe e bashkuar”, tha Basha.

/abcnew.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!