Liverpool nuk e ka nisur me këmbën e mbarë këtë sezon në Premier League, pasi akoma nuk ka arritur të sigurojë fitoren në 3 javët e para, pasi ka dy barazim dhe një humbje.
Disfata e të hënës në mbrëmje ndaj Manchester United në “Old Trafford” djeg edhe më shumë për faktin që ishte përballë një rivali historik të “The Reds”, megjithatë Klopp u shfaq i qetë në konferencën për shtyp.
Trajneri gjerman tha se ishte i kënaqur nga skuadra e tij dhe mënyra si e interpretoi lojën, teksa theksoi se me pak më shumë fat në finalizim, do të mund të diskutonin për një rezultat tjetër.
“Ata ishin shumë agresivë që në fillim dhe e kuptova që do të ishte një ndeshje e vështirë. Pas golit të Sanchos morëm kontrollin e lojës, por nuk arritëm të shënojmë, për të shkuar në dhomat e zhveshjes me barazim. Në pjesën e dytë goli i Rashford na prishi planet, megjithatë kuptova që kur skuadra luan e qetë, është vërtetë e rrezikshme. Krijuam shuam raste dhe ishim pa fat, ndërsa De Gea tregoi se ishte në mbrëmjen e tij. Pa ato pritje, do të diskutonim për një tjetër rezultat”, deklaroi Jurgen Klopp. /f.a/abcnews.al

