Nuk ka përsëritje të votimeve në Tiranë, Fier, Elbasan dhe Durrës.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e partisë demokratike për pavlefshmëri të zgjedhjeve duke certifikuar rezultatin e 11 majit për katër qarqet e fundit pas rinumërimit të 1945 kutive të votimit.
Më herët në seancën e kësaj të hëne të Kas, Aulon Kalaja, i cili mbeti i pakënaqur nga rinumërimi në Durrës kërkoi hapjen e të gjitha kutive të qarkut, me argumentin se gjatë rinumërimit votat e tij kanë patur trend rritës.
“Diferenca ime me kandidatin tjetër u ul menjëherë me 100 vota. Ne patëm qendra votimi që dolëm me 0 por patëm edhe qendra votimi por kishim edhe qendra që ishin manipuluar 42 vota në kuti”, ka thënë më herët Aulon Kalaja.
Por kjo kërkese e tij nuk u mbështet nga anëtarët e KAS, përfshirë edhe përfaqësuesit e PD. Në 11 maj, Kalaja garoi nën siglen e PD por në Kas betejën e bëri me mbështetjen e partisë lëvizja e legalitetit. Po ashtu u rrëzua edhe kërkesa e re e demokratëve për hapjen e rreth 300 kutive me materiale zgjedhore në Tiranë.
KAS miratoi edhe tabelat e reja përmbledhëse të rezultateve pas rinumërimit për këto qarqe, me shifrat respektive, ndryshe nga ato të numërimit të parë të 11 majit.
Në Tiranë, Partia Demokratike jo vetëm që nuk arriti të marrë mandatin e 14-të, por ju zbritën 613 vota nga rezultati i 11 majit. Partisë socialiste iu hoqën 380 vota. Në Fier, Adriatik Lapaj, nuk arriti të fitonte mandatin e dyte por i vetmi lajm që u prodhua ishte humbja me 10 vota e mandatit për Zegjine Çaushin. Por, festa e demokratëve zgjati shumë pak.
Kandidatja socialiste Maldrita Bardho hoqi dorë nga mandati dhe në shtator në parlament ulet Çaushi. Edhe në Durrës, ku pati rinumërim të pjesshëm, rezultoi që PD kishte marrë më shumë vota të padrejta, 18 kundrejt 5 të PS.
Këto janë katër qarqet e fundit, ku u certifikua rezultati i 11 majit nga Kas teksa PD ka paralajmëruar dërgimin e tyre në Kolegjin Zgjedhor, i cili do të jetë edhe akti i fundit për vulosjen përfundimtare të 11 majit.
/ abcnews.al