Pak ditë më parë, bëri bujë në mediat botërore lajmi se këngëtarja kolumbiane, Shakira dhe futbollisti, Gerard Pique janë ndarë pas 12 vitesh së bashku. Ishte Shakira, e cila konfirmoi spekulimet, përmes një deklarate nga agjensia e saj e komunikimit, se ajo dhe babai i dy fëmijëve të saj janë ndarë.
Mediat spanjolle raportuan se shkaku ishte tradhtia nga ana e futbollistit. Megjithatë, është pohuar se vendimi për lëshimin e deklaratës ishte i njëanshëm nga ana e Shakirës dhe se kjo lëvizje e befasoi mbrojtësin e Barcelonës. Kështu deklaroi gazetari Jose Antonio Aviles, në emisionin ‘Viva la Vida’.
“Dikush shumë, shumë i afërt me Pique -n më ka siguruar se nuk ka pasur asnjë pabesi nga ana e tij. Ai u befasua shumë nga ndarja dhe deklarata që Shakira i dërgoi.”, ka thënë gazetari.Ai gjithashtu pohoi se futbollisti dhe këngëtarja kanë pasur një “marrëdhënie të hapur” vitet e fundit.
“Marrëveshja e tyre ishte ‘ti bëj çfarë të duash dhe unë do të bëj çfarë të dua por të paraqitemi si çift para publikut’ shtoi Jose Antonio Aviles, duke pretenduar sërish se ka folur me burime pranë Pique. Ata kanë dy djem nga lidhja e tyre 12-vjeçare, Milanin 10 vjeç dhe me Sashën 7 vjeç.
Çfarë thanë Pique dhe Shakira në deklaratën e përbashkët?
“Me keqardhje konfirmojmë se po ndahemi. Për mirëqenien e fëmijëve tanë, të cilët janë prioriteti ynë më i lartë, kërkojmë që të respektoni privatësinë e tyre. Faleminderit për mirëkuptimin.”, thuhet në deklaratën e publikuar nga agjensia e komunikimit të Shakirës.