Nuk ka më penalitete pa fund për kreditë konsumatore, do të vendoset një limit prej 30%

schedule07:30 - 2 Mars, 2021

schedule 07:30 - 2 Mars, 2021

“Kalvari” i huamarrësve të këqij që përballen me penalitete stratosferike në procesin e mbledhjes së detyrueshme të kredive konsumatore pritet të përfundojë në një të ardhme të afërt.

Banka e Shqipërisë ka propozuar më në fund vendosjen e një kufiri rregullator lidhur me shumën e penaliteteve dhe kamatëvonesave që institucionet e huadhënies mund t’i ngarkojnë kredimarrësve.

Sipas ndryshimeve rregullatore të propozuara, penalitetet dhe kamatëvonesat nuk mund të jenë më shumë se 30% e detyrimit kontraktor të klientit, që nënkupton shumën e principalit dhe interesit mbi të.

Ngarkesa me penalitete të pakufizuara në disa raste është bërë një barrë shkatërruese nga pikëpamja ekonomike për huamarrësit e vegjël. Duke qenë se penalitetet e parashikuara në kontratë janë shumë të larta, proceset e gjata kohore të mbledhjes ligjore te detyrimeve bëjnë që shpesh këto detyrime të arrijnë shuma të papërballueshme, deri në disa herë detyrimin fillestar të klientit.

Bankat dhe institucionet e huadhënies zakonisht i shesin kreditë e vogla konsumatore që nuk paguhen te shoqëri të specializuara për mbledhjen e borxheve, që në disa raste përdorin edhe praktika të dyshimta për mbledhjen e tyre, nga pikëpamja etike dhe ligjore. Të tilla raste janë bërë edhe objekt denoncimesh në emisione investigative mediatike. Penalitetet e larta, që i fryjnë detyrimet përtej çdo kufiri të arsyeshëm, janë identifikuar si një element që cënon të drejtat e huamarrësve dhe ushqen praktika jo morale biznesi nga mbledhësit e borxheve të këqija.

Pas shpërthmit të krizës financiare dhe rritjes së raportit të kredive me probleme, në Shqipëri u bë e qartë se procesi ligjor i mbledhjes së borxheve të këqija paraqitej i vështirë dhe problematik. Kjo solli domosdoshmërinë për disa ndryshime ligjore, por edhe lulëzoi biznesin e kompanive të specializuara për mbledhjen e borxheve.

Në tërësinë e vet, masat bënë që kuadri për mbledhjen e kredive të këqija të përmirësohet. Shitja e kredive në disa raste ka dhënë kontribut domethënës në pastrimin e portofoleve të bankave dhe në uljen e raportit të kredive me probleme. Por, rritja e kredive të këqija vuri në dukje edhe anën tjetër të medaljes, faktin që, në raste të veçanta, kuadri ligjor dhe rregullator nuk garantonte disa kufij në mbrojtje të të drejtave të huamarrësve. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë pritet që së shpejti të miratojë një limit lidhur me penalitetet që kontrata e kredisë konsumatore mund të parashikojë për huamarrësin./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!