Drejtuesit e Milanit duket se tashmë janë të bindur për aftësitë e mbrojtësit, Simon Kjaer, dhe do të kërkojnë ta blejnë kartonin e tij. Aktualisht, ai është në huazim nga Sevilla dhe në fund të sezonit kuqezinjtë kanë të drejtë të aktivizojnë opsionin për ta blerë kartonin e tij, që kushton plot 3.5 milionë euro.
Sipas raportimit të “Milannews.it”, klubi kuqezi ka marrë vendimin përfundimtar dhe do ta blejë përfundimisht qëndërmbrojtësin danez. Koha po mbaron, pasi afati i fundit për klauzolën e tij është në 15 korrik.
Që nga ardhja e tij në Milano në muajin janar, Kjaer e ka fituar vendin e titullarit duke formuar një dyshe të fortë së bashku me kapitenin Romagnoli. 31-vjeçari ka luajtur dhe më parë në Seria A, ku është aktivizuar për Palermon nga viti 2008 deri në 2010, si dhe për Romën në sezonin 2011-12. /abcnews.al