Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe grupimi i tij nuk e njeh Kuvendin e 2 shtatorit, i thirrur nga kryedemokrati, Lulzim Basha.
Në një komunikim me gazetarët, ai tha se ndjek statutin e partisë dhe jo agjendën e Bashës në Facebook-un e tij.
“Kuvendi njeh vetëm rregulloren e Kuvendit që është ligji mbi të cilin vepron Kuvendi i Shqipërisë. Nuk ka rëndësi se çfarë bën secili prej deputetëve, e rëndësishme është se çfarë bëjnë shumica e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Cilido mund të çojë edhe letra, edhe shkresa, edhe pse unë nuk besoj që kemi nevojë për ndasi. E përsëris, ne kemi nevojë për bashkim forcash në përballjen me Edi Ramën. Kush vendos të vazhdojë lojën në opozitë, praktikisht e përjashton veten nga të qënurit opozitar.
Cili Kuvend? Nuk kam dijeni për çfarë bën zoti Basha sepse nuk ndjek faqen e tij të Faceboook-ut. Ajo që unë di me siguri, është që nesër, më 2 shtator nuk ka Kuvend Kombëtar të PD-së. Cilido deputet është i lirë të bëjë çfarë dolloj takimi, mbledhje, është në të drejtën e tij. Por Kuvendi Kombëtar i PD-së thirret sipas statutit të partisë dhe sipas rregullave të bashkëjetesës në parti. Nesër nuk ka asnjë mbledhje të tillë”, theksoi ai./abcnews.al