Veljko Dovedan nuk ishte në stol në sfidën që Bylisi humbi në përballjen kundër Kukësit ditën e sotme dhe në vend të tij ishte ndihmësi i tij Bekim Kuli. Pas ndeshjes ai foli për Supersport, ku u shpreh: “Pjesën e parë ishim mirë dhe në pjesën e dytë ramë fizikisht. Fajin e kanë ndeshjet e shpeshta.
Te ne mungojnë doktorët dhe fizioterapistët dhe e kemi të vështirë të rikuperojmë lojtarët. Kukësi ka shumë blerje dhe potencial dhe na mundi. Janari nuk ka gjëra speciale në merkato, janë vetëm mundësi për të mbuluar boshllëqe të vogla. Të vetmet ekipe që kanë mundësi të marrin lojtarë të mirë janë Kukësi apo Partizani, siç ishte Murataj te ne dhe klubi e shiti për arsye financiare.
Ne e kemi të vështirë të gjejmë lojtarë cilësorë. Ne nuk bëjmë dot shumë ndryshime në formacion. Kemi ndryshuar vetëm në bazë të kundërshtarit. I kishim marrë masat me Ibrahimin dhe i kishim vënë Ymeraliajn mbrapa, ku më shumë do i qëndronte pas atij.
Problemi është se lojtarë të tillë shfaqen nga momenti në moment dhe ai e Eze janë lojtarë që bëjnë diferencën. Goli i Eze ishte moment i veçantë, unë shqetësohem te goli i parë, që nuk morëm masa në zonë dhe pësuam një gol qesharak”, përfundoi Kuli. /abcnews.al