Masat proteksioniste duket se nuk i kanë dhënë ekonomisë së Shteteve të Bashkuara efektet e pritura. Kjo ka bërë që administrata e presidentit Trump të tërhiqet prej tyre dhe t’i hapë rrugë dialogut me partnerët tregtarë si BE, Britania dhe Japonia.
Administrata amerikane ka zgjedhur të distancohet nga praktikat tregtare proteksioniste, me të cilat u promovua përpara partnerëve historikë të Shteteve të Bashkuara. Zyra e përfaqësuesit amerikan të tregtisë ka njoftuar Kongresin se synon të nisë bisedimet me Bashkimin Europian, Mbretërinë e Bashkuar dhe Japoninë.
“Ne do të vazhdojmë të zgjerojmë tregtinë e Shteteve të Bashkuara duke negociuar marrëveshje tregtare me BE-në, Britaninë dhe Japoninë”, ka njoftuar zyra e Robert Lajt’hajzër. Në bazë të ligjeve, Amerika nuk mund të nisë bisedime me vendet në fjalë pa kaluar 90 ditë nga njoftimi në Kongres.
Por autoritetet përgjegjëse shprehen optimiste se do të mund të mbyllin marrëveshjet e shpresuara në kohën e duhur dhe me rezultate domethënëse për punëtorët, fermerët dhe bizneset amerikane. Pikërisht dy kategoritë e fundit rezultojnë më të dëmtuarat nga sanksionet dhe tarifat tregtare që presidenti Trump ka vendosur ndaj vendeve që i konsideron rivale.
Plani i ri i bisedimeve synon të zgjidhë si problemet që kanë të bëjnë me tarifat, ashtu edhe ato që kanë të bëjnë me mungesën e tarifave për produkte dhe shërbime të caktuara. Gjithashtu, pala amerikane synon të vendosë një balancë më të drejtë tregtare me Bashkimin Europian dhe Japoninë. Japonia është një treg shumë i rëndësishëm, por që nuk ka dhënë ende frytet e duhura për produktet amerikane të eksportuara. Sipas njoftimit të bërë në Kongres, Shtetet e Bashkuara kanë një deficit tregtar prej 69 miliardë dollarësh me vendin aziatik, pjesa dërrmuese e të cilit i përket sektorit të automjeteve. /abcnews.al