Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se po vazhdon punën përpara dhe nuk do që të humbas kohë me njerëzit që duan të dëgjojnë hallet e opozitës.
“Fitorja jonë me 60 mijë vota diferencë është një fitore që do të hyjë në histori, nuk besoj se do të ndahet ndonjëherë kaq lehtë fitorja dhe kaq shumë. Çuditërisht, ata që kanë humbur më shumë, ata dhe bërtasin më shumë. Ka një përpjesëtime të zhdrejtë, sa më e madhe fitorja jonë, aq më i vogël përfaqësimi i tyre, por dhe mllefi dhe gjuha e urrejtjes.
Ne numrat i kemi, qyteti duhet të eci përpara, nuk mund të bllokohet pafundësisht. Kështu që nuk humbas asnjë minutë për njerëzit që nuk duan të dëgjojnë, dhe janë aty për hallet e Monikës dhe të Zenit”, u shpreh ai gjatë intervistës në emisionin “Real Story”.
Më tej, Veliaj theksoi se do të fillojnë punën për dy projekte si Arena Kombëtare, siç është Pallati i Ri i Sportit ‘Asllan Rusi’ dhe stadiumi i ri ‘Selman Stermasi’.
“Do fillojmë punën për dy procedura që jam i sigurt që do shkojnë në gjyqe, siç është Pallati i Ri i Sportit ‘Asllan Rusi’ dhe stadiumi i ri ‘Selman Stermasi’. Do duhet që këto dy ekosisteme t’i kemi të ngjashme me stadiumin Arena Kombëtare, i cili është kthyer në një pol të madh ekonomik. Sot hoteli te stadiumi është jo vetëm ikonë, por ka sjellë dhe shumë fitime ekonomike. Ndaj të them që jam i përgatitur për këto beteja dhe di të them që qyteti pa beteja nuk bëhet”, deklaroi kryebashkiaku./abcnews.al