Rudina Hajdari gjatë intervistës së dhënë për “ABC e Pasdites” ka folur për babain e saj të ndjerë, liderin Azem Hajdari. Moderatori Ermal Peçi zhvilloi një intervistë tejet të ndjerë duke e pyetur ndër të tjera, nëse e takon shpesh në ëndrra.
‘Po, më ndodh në momente të veçanta, ndoshta ja kërkoj dhe vetes. Ai më shfaqet në ëndrra, më ndodh’- tha Rudina.
Ndonëse ka vite që është larguar nga jeta, për të nuk është kështu pasi mendon çdo ditë se çfarë do mendonte ai për zgjedhjet që bën në jetë. Ndër të tjera ajo u ndal në momentin se si e përjetoi largimin nga jeta të babait të saj dhe shpesh ka kërkuar ‘Pse-në’.
“Ka patur faza të ndryshme në jetën time. Për shumë kohë nuk kam arritur të ndaja me miqtë e mi se si ndihesha unë. Nuk guxonte njeri të më pyeste se çfarë ndjeja dhe në momentin që unë u largova në Amerikë më thonin që të shkoja tek psikologu ose të flisja me një ekspert në lidhje me këtë humbje. Nuk ishte thjesht një humbje që kishte ndodhur nga një sëmundje natyrale, ishte nga një dorë njeriu, kështu që ishte ndryshe”.
Rudina Hajdari para disa kohësh kaloi edhe covid 19. Ajo tregoi në programin e pasdites në ABC se e kaloi e vetme në shtëpi, por me dashurinë dhe kujdesin jo vetëm të familjarve, por edhe të komshinjve. Këta të fundit e pyesnin çdo ditë si ishte dhe i dërgonin ushqime dhe çokollata.