Jose Mourinho është një ndër trajnerët më fitues të 15 viteve të fundit. Shumëkush nuk e preferon për stilin e tij ultras mbrojtës, por portugezi mbetet një mjeshtër në pankinë. Verën e vitit 2004 mori drejtimin e Chelsea dhe e ngriti skuadrën në nivele të larta.
Mourinho u shkarkua nga drejtimi i “Bluve të Londrës” në fundshtatorin e vitit 2007, duke e mbyllur aventurën e parë me Chelsea me 6 trofe të fituar. Michael Ballack ishte pjesë e skuadrës londineze atë periudhë dhe zbulon për Sky Sports të vërtetën e shkarkimit të trajnerit.
“Tani kam mjaft përvojë për të kuptuar gjithçka. Kur një skuadër nuk fiton, personi i parë që ndërrohet është trajneri. Mourinho ndodhej në sezonin e katërt me Chelsea. Nëse sheh kohën mesatare të një trajneri me një klub, mund të them që ai ishte një rezultat i mirë.
Mourinho punonte shumë, ndoshta kjo është arsyeja pse, në një moment të caktuar, gjithçka pushon së funksionuari. Problemi ishte i të gjithëve, por fajin e kishin lojtarët. Sinqerisht nuk jemi penduar, duhet të shihnim përpara. Ruaj ende një raport shumë të mirë me Jose, besoj se janë të paktë lojtarët që flasin keq për të”, përfundon ish-mesfushori gjerman. /abcnews.al