Pavarësisht se ëndërronim një nisje historike, të aventurës së dytë, në finalet e një Kampionati Evropian të futbollit, “Të Kaltërit” e Italisë na treguan se jemi ende larg të qënurit “të barabartë” me “gjigantët” e futbollit, në “kontinentin e vjetër”, teksa në sfidën e parë, të Euro 2024 u mundëm me rezultatin e ngushtë 2 me 1, nga kampionët në fuqi të Evropës dhe tashmë kemi nisur të mendojnë për sfidën e radhës.
Kështu, pas përfundimit të përballjes në Dortmund, “Legjionarët” janë rikthyer në kampin e tyre stërvitor, në Kaiserau, aty ku kanë vijuar përgatitjet, për sfidën e mesditës së 19 qershorit, ndaj Kroacisë, sfidë e cila do të vendosë përfundimisht fatin e Kombëtares “kuqezi”, në këtë rrugëtim, që shpresojmë të jetë i gjatë.
Me rikthimin në kampin bazë kanë filluar edhe dalje në konferencë për shtyp, nga “Kuqezinjtë” tanë, ku pas Ylber Ramadanit, Elseid Hysajt, Arlind Ajetit, Qazim Laçit e Kristjan Asllanit, tashmë para mediave ka dalë anësori i mbrojtjes, Mario Mitaj, i cili fillimisht ka folur për të ardhmen e tij dhe më tej për aspektin e lojës që duhet të përmirësojnë para sfidës me Kroacinë.
“Të them të drejtën tani për tani nuk e kam menduar aspak të ardhmen time, por jam i fokusuar 100% te Kombëtarja dhe te ndeshjet e radhës, në Kampionatin Evropian.
Të gjithë lojtarët edhe tifozët u habitën për golin që erdhi shumë shpejt dhe menjëherë u kthyem në mbrojtje, duke parë edhe kundërshtarin që kishim përballë. Trajneri na ka thënë që jemi paraqitur mirë, por tani duhet të përgatitemi shumë edhe në aspektin e goditjeve standarte”,- tha Mitaj më tej gjatë konferencës. /i.m /abcnews.al