Teksa ka nisur mbledhja e Këshillit të Mandateve, deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka ka kërkuar më shumë kohë që deputetët të njihen me kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar ecurinë e mbledhjes me parashtrimin e kërkesës. Sipas tij PS kërkon që ta shtyjë këtë proces në mënyrë që të heq vëmendjen e këtij skandali nga opinioni publik.
“Pse ta shtyjmë? Se nuk keni pasur kohë. Ti Balla e ke lexuar. Sinjali i parë është ta shtymë. Nga ju tregon qasjen tuaj. Ta shtyjmë ta heqim nga sytë e publikut. Për hirë të seriozitetit pa dhënë konkluzione. Unë propozova një zgjidhje që respekton edhe zonjën Kryetare të Kuvendit por edhe kërkesën e kolegëve të tu, sot të operojmë me paraqitjen e kërkesës. Ju merrni kohë më pas të respektoni letrat. Zonja Xhacka është në të drejtë të saj të vijë apo jo.” u shpreh Alibeaj.
Këshilli për Rregulloren dhe Imunitetin u mbledh këtë të premte për të diskutuar kërkesën e grupit parlamentar të PD për heqjen e imunitetit të Olta Xhaçkës.
Shkak për këtë kërkesë është bërë përfshirjes së bashkëshortit të saj, ish-deputetit të PS, Artan Gaçi në një projekt në bregdet si investitor strategjik.
PD akuzon se ministrja Xhaçka është në konflikt interesi sa i takon një vendimi të Këshillit të Ministrave.
Opozita pretendon se bashkëshorti i saj qëndron pas një kompanie që do të ndërtojë resort turistik në bregdetin e Himarës në cilësinë e investitorit strategjik.
Përfshirjen në politikë, Olta Xhaçka e nisi në vitin 2009 si deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Korçës.
Në mars të 2017-ës, asaj iu besua drejtimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, post të cilin e mbajti vetëm 5 muaj.
Po në të njëjtin vit mori drejtimin e një tjetër ministrie, atë të Mbrojtjes duke zëvendësuar Mimi Kodhelin. Detyrën në krye të Mbrojtjes, Xhaçka e mbajti deri në janar të këtij viti.
Në fillim të vitit 2021, Xhaçkës iu besua një tjetër post ministror, ai i Ministrisë së Jashtme, ku zëvendësoi Gent Cakajn. /abcnews.al/