Filippo Inzaghi mbetet një nga sulmuesit më të veçantë të historisë së futbollit. Italiani i famshëm ka shënuar në çdo kompeticion të mundshëm dhe golat e tij i kanë dhuruar emocione të paharrueshme tifozëve të skuadrave ku ka luajtur, sidomos atyre milanistë.
“Super Pippo” vazhdon karrierën e trajnerit dhe për momentin po tenton të rikthejë Beneventon në Serie A. Më parë ka drejtuar Milanin, Venezian dhe Bolognën. Kurrë nuk e kishte menduar se do t’i futej këtij profesioni, por insistimi i tre personave e bënë të ndërrojë mendje.
Inzaghi zbulon gjithçka në një prononcim për DAZN, aty ku i rikthehet së kaluarës. Dikur nuk dëshironte t’i dëgjonte, por sot i jep të drejtë të treve.
“Më shkonte ndërmend që mund të vazhdoja të isha pjesë e botës së futbollit. Nuk pranoja as idenë për t’u tërhequr në moshën 40-vjeçare. Në fund të ndeshjes së fundit kundër Novarës isha i bindur se do të luaja akoma. Më pas e kuptova se të luaja për një fanellë tjetër nga ajo e Milanit, sidomos pas atyre emocioneve që përjetova pas festës së golit të fundit poshtë ‘Curva Sud’, do të ishte diçka shumë e vështirë.
U bëra trajner falë Adriano Gallianit dhe vëllait tim. Simone drejtonte ekipin e të rinjve të Lazios atë kohë. Insistoi edhe Tullio Tinti, agjenti im. Këta ishin personat që më bindën se trajnimi do të ishte rruga e duhur. E pranoj se kanë patur të drejtë“, përfundon Pippo Inzaghi. /abcnews.al