“Nuk do ta lëmë Messin të shijojë një natë të mirë”, te Franca të bindur se do ta ndalin numrin 10

schedule18:39 - 15 Dhjetor, 2022

schedule 18:39 - 15 Dhjetor, 2022

Lojtarët e Francës kanë këmbëngulur se ata janë të gatshëm të përballen me Lionel Messin në ndeshjen finale të Kupës së Botës 2022 me Argjentinën.

“Les Bleus”, të cilët janë kampionët në fuqi, do të përballen me “Albiceleste” në një ngjarje madhështore të dielën, ku do të vendoset kurora globale e Botërorit.

Franca është plotësisht e vetëdijshme se shtatë herë fituesi i Topit të Artë, Messi përbën një kërcënim serioz për ambiciet e tyre, por skuadra e Didier Deschamps është e bindur se ata mund ta ndalin argjentinasin, dhe të shkatërrojnë ëndrrat e tij për të fituar trofeun që e ka pritur gjithë karrierën.

Mbrojtësi i Francës Hernandez ka thënë se Franca nuk trembet nga Lionel Messi dhe se ata do të punojnë shumë për ta fituar këtë ndeshje.

“Të luash dy finale radhazi të Kupës së Botës është një moment i jashtëzakonshëm. Do të punojmë shumë për ta fituar këtë finale. Tani duhet të mendojmë për finalen. Jam i lodhur, por është mirë të fitosh një gjysmëfinale të Kupës së Botës. Tani le të shërohemi për të dielën. Messi nuk na tremb, Argjentina është një ekip i jashtëzakonshëm, por ne kemi disa ditë për të punuar”.

Edhe sulmuesi veteran Olivier Giroud ka “kërcënuar” argjentinasin, duke theksuar se do të tentojnë që t’ia bëjnë një natë të tmerrshme.

“Messi është një lojtar i jashtëzakonshëm. Por ne nuk do ta lëmë të shijojë natën më të mirë që mund të ketë. Ne duam ta fitojmë këtë lojë dhe Kupën e Botës dhe do të bëjmë gjithçka për ta ndaluar atë. Nuk është vetëm Messi në atë ekip. Ata kanë lojtarë të mrekullueshëm që punojnë edhe për ekipin. Kjo është arsyeja pse ata janë kaq të fortë“, ka deklaruar sulmuesi francez.

Sulmuesi tjetër i Francës, Antoine Griezmann ka thënë se do të jetë një lojë e vështirë dhe se nuk është vetëm Messi por janë edhe 10 lojtarë të tjerë pranë tij që kanë cilësi dhe mund të shfaqin kërcënim për portën e Lloris.

“Ne e kemi parë Argjentinën duke luajtur, ne e dimë se si luajnë, ata janë një skuadër e vështirë për t’u luajtur kundër dhe duket se janë në formë të lartë. Nuk është vetëm Messi, ata kanë një anë të fortë rreth tij. Do të jetë një lojë e vështirë dhe ata do të kenë shumë mbështetje në turmë.”

Ngjashëm deklaroi edhe mesfushori i Real Madridit, Aurelien Tchouameni i cili tha se ata do të mbrohen mirë dhe se për ‘gjelat’ kërcënim do të jenë të gjithë lojtarët e kombëtares, e jo vetëm Messi.

“Ne do të duhet të mbrohemi mirë dhe do të duhet të tregojmë të gjitha cilësitë tona. Po, është Lionel Messi, por ka edhe 10 lojtarë të tjerë pranë tij, të cilët gjithashtu kanë shumë cilësi, kështu që ne duhet të jemi gati, të vetëdijshëm për mundësinë që kemi për të bërë histori”, ka thënë Tchouameni.

Franca mundi 2-0 Marokun për të kaluar në finale në Katar 2022, ndërsa Argjentina u tregua shumë e fortë për Kroacinë pasi Messi shënoi golin e tij të pestë në turne në një fitore 3-0.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!