Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar në lidhje me vendimin e kryetarit të KQZ, Ilirjan Celibashi për të mos regjistruar partinë më të madhe opozitare në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Alibeaj shkruan se Celibashi i mori këtë vendim pasi është ndikuar politikisht nga aktorë të tjerë të politikës.
Ai shton se ky vendin do të ankimohet në KAS dhe premton se ata që duan ta dëmtojnë PD nuk do t’ia dalin.
Postimi i plotë:
Vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Sikundër e deklaroi dhe publikisht, zoti Celibashi e ka të pamundur të ndajë opinionet dhe tifozerinë personale nga faktet juridike. Për pasojë, vendimi i tij e zgjat pa fund dhe pa arsye të qenësishme regjistrimin e PD. Dukshëm, e madje deri në kufijtë e groteskut, komisioneri nisur vetëm për shërbim politik ndaj kundërshtarëve të PD, vendos ta përjashtojë nga zgjedhjet. Siç ndodhte këtu e 32 vjet më parë, kur ishte partia në pushtet ajo që lejonte ne zgjedhje vetëm satelitët e saj. Kjo marrëzi politike, si 32 vjet më parë, i ndodh sot Shqipërisë kur është vend i NATO-s dhe synon të jetë anëtar i BE-së!
Megjithëkëtë e si përherë do të vijojmë rrugën ligjore për të finalizuar përfaqësimin e PD në 14 maj. Çdo artificë ligjore apo arsye e stisur politike dhe aspak ligjore është thjesht rruga e dëshpëruar që zgjatime të politikës së vjetër në institucione kushtetuese të pavarura kanë zgjedhur për të na penguar në rrugën tonë. Nuk do ia dalin!!r.t/abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!