Luftëtari thuajse e ka prerë biletën për në Kategorinë e Parë, por vijon ta respektojë garën dhe të luftojë për çdo ndeshje. Nesër bluzinjtë përballen me Skënderbeun dhe trajneri Neritan Novi ka dalë sot para mediave dhe ka folur për atë përballje.
“Shkojmë për të luajtur futboll dhe jo për të kaluar radhën. Do të shkojmë për të marrë pikë. Ashtu si Flamurtari shkoi dhe mori pikë ndaj Bylisit, të njëjtën gjë do të mundohemi të bëjmë të njëjtën gjë”, tha fillimisht Novi, i cili më pas foli edhe për gjykimin.
“Nuk dua të merrem me gjykimet, por një mesazh e kam për gjyqtarët: Është gjynah të dënojnë djemtë e Gjirokastrës. Mos të na dënojnë ndeshje pas ndeshje, duke na dhënë penallti dhe duke na ndëshkuar”, shprehet trajneri i Luftëtarit.
Luftëtari vuan për shënimin e golave dhe Novi e di arsyen: “Kemi lojtarë pa eksperiencë në sulm. Nuk e gjejmë kollaj rrugën e rrjetës, do ishte mirë të kishim një lojtar me eksperiencë. Kjo pasi kemi probleme në fazën sulmuese.”
Novi kënaqet edhe me një pikë kundër Skënderbeut, ndërkohë që ekipi është më i plotë këtë herë. “Sigurisht që më kënaq barazimi. Ju kam thënë çunave të luajnë futboll dhe të tregojnë vlerat e tyre. Formacioni? Nuk do të kemi asnjë mungesë, por do të bëj ndryshime në formacion. Garantoj që do vendos ata çuna që më janë përgjigjur mirë në stërvitje dhe jam i bindur që do të japin më të mirën e tyre”. /abcnews.al