“Notë proteste Serbisë, të na kërkojë falje”! Vulin i përgjigjet Ramës: Duhet të kërkosh ti ndjesë

schedule22:30 - 6 Tetor, 2020

schedule 22:30 - 6 Tetor, 2020

Vijon debati me replika në distancë mes ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandar Vulin dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë njoftoi sot se ministria e punëve të Jashtme ka thirrur ambasadorin serb në Tiranë për t’i përcjellë një notë verbale proteste, pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes Aleksandar Vulin për fyerjet kundër shqiptarëve.

Reagimi i Vulin ka qenë i menjëhershëm. Ai thotë se kryeministri i Shqipërisë thirri ambasadorin për notën e protestës pasi ngeli pa argumente. Ministri serb kërkon që falje të kërkojë Edi Rama dhe jo ai.

Kur ai mbeti pa argumente i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme për ndihmë. Asgjë e re, ishte kështu gjatë gjithë historisë deri në agresionin e NATO-s, dikush gjithmonë është duke thirrur për ndihmë dhe kundër serbëve. Le të kërkojë falje Edi Rama për “Shtëpinë e Verdhë”, le të kërkojë falje për mbështetjen e vrasësve nga UÇK-ja” tha ai.

Për vendin e Esad Pashë Toptanit, ka pak katastrofa më të mëdha se Rama, por kjo është çështje e Shqipërisë, dhe katastrofa që një “Shqipëri e Madhe” do të bënte në Ballkan është fatkeqësia e të gjithë neve që jetojmë në Ballkan, dhe kjo është arsyeja pse unë do të luftoj kundër tij” tha Vulin.

Por si nisi debati? 

Ministri serb pak ditë më parë komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama në konferencën e përbashkët të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë.

Kryeministri shqiptar tha në konferencë që Porti i Durrësit do të jetë “de facto” port i Kosovës. Ministri Vulin, pas kësaj deklarate tha që Rama po punon për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Gjithashtu ministri serb fyeu shqiptarët duke iu referuar me termin ofendues “shiptarima” duke sjellë më pas reagimin e Tiranës dhe Prishtinës. Edi Rama i kërkoi llogari Presidentit Vucic, i cili u përgjigj duke thënë se “është e pamundur të përulni Serbinë”, po replikat vijojnë./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!