Notarja angleze u mbyt në det, i ati do të investojë në Sarandë: Do t’i përjetësoj emrin

schedule15:43 - 18 Dhjetor, 2022

schedule 15:43 - 18 Dhjetor, 2022

“Isha duke parë funeralin e mbretëreshës së Anglisë në një stacion televiziv anglez dhe policia trokiti në derën time dhe tha se vajza ime ka vdekur në Shqipëri.”, thotë George Gannon.

Kjo fatkeqësi e solli për herë të parë, George Gannon në Shqipëri.

Vajza e tij Rebeka një notare amatore, humbi jetën kur u zhyt detin e Sarandës në muajin shtator.

Ai dhimbjen nuk e shpreh me fjalë. Forcën po. “Do jem këtu për Krishtlindje, sepse vajza ime dha frymën e fundit këtu dhe unë do të jem këtu për atë. Po planifikoj të jetoj këtu, të krijoj biznesin tim këtu.”, u shpreh ai. Beki, siç e thërrisni familjarët, mbylli sytë në një vend të huaj.

I ati nuk dëshiron, që e bija të mbetet e panjohur.

Ai ka planifikuar të përjetësojë emrin e saj duke investuar në një vatër edukimi në Sarandë. “Beki ishte njeriu më i dashur që kam njohur. Arsyeja për këtë ishte se unë jam rritur në një shtëpi fëmijësh, nuk kisha prindër dhe kur lindën fëmijët e mi doja ti edukoja mirë. Beki udhëtonte nëpër botë për aventura të reja dhe për t’ju bërë mirë njerëzve.

Ndaj në emër të saj dua ta restauroj këtë kopsht se këtu fëmijët do marrin edukimin bazë dhe do mësojnë të respektojnë njerëzit. Dua ti vë emrin e vajzës, që Beki të jetë e paharruar në këtë vend. Qëllimi im është që emri i vajzës time të kujtohet përgjithmonë në Shqipëri.”, shtoi më tej George.

George, ky prind me shpirt të vrarë, por me një forcë të jashtëzakonshme nuk e urren detin e sheh çdo ditë dhe projekton vepra të mira për qytetin ku e bija mori frymë për herë të fundit! /acnews.al