Pas afro 20 orësh bllokim është normalizuar situata në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Pala greke ka lejuar lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe të autobusëve drejt Greqisë. Prej pasdites së të dielës në Kapshticë, policia greke nuk lejoi hyrjen e këtyre mjeteve për shkak të bllokimit të rrugëve nga bora në vendin fqinj. Lejoheshin vetëm mjetet e vogla që ishin të pajisura me zinxhirë.
Pritën orë të tëra në radhë për të kaluar në Greqi. Do të qëndrojnë në kufi aq kohë sa do ju duhet për kryerje të procedurave doganore. Radhës së mjeteve të tonazhit të rende iu shtuan ato të voglat. Për një kohë të gjatë dogana në Kapshticë u mbingarkua, si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Pas zhbllokimit të situatës, si pasojë e motit të keq në vendin fqinj, nga policitë kufitare të të dyja vendeve u ra dakord, të punohet me ritme të larta, për të përpunuar pa vonesa dokumentacionin e mjeteve dhe udhëtarëve.
Mësohet se vetëm mjetet e tonazhit të rëndë kanë kaluar natën në doganë, kurse autobusët mbërritën në Kapshticë, pas normalizimit të lëvizjeve ndërkufitare. Janë 8 sportele të hapura nga pala jonë dhe tre të tilla nga policia kufitare greke, të cilat po përballon fluksin e orë pas orëve.
Pezullimi i lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve paralizoi për disa orë shkëmbimet tregtare me vendin fqinj, ndërsa detyroi udhëtarët të përdornin pika të tjera doganore për të shkuar në Greqi./abcnews.al