Perëndimi nuk është saktësisht në luftë me Rusinë. Mirëpo, as nuk është në paqe, siç vëren në artikullin e tij në Neë York Times, ekonomisti amerikan, nobelisti Paul Krugman. Armët perëndimore e kanë ndihmuar Ukrainën jo vetëm për të ndaluar pushtimin rus, por edhe për të kundërsulmuar, dhe sanksionet ekonomike kanë shkaktuar qartë probleme serioze për industrinë ruse.
Rusia nga ana e saj reagoi duke vendosur një embargo de facto ndaj eksporteve të gazit natyror në Evropë. Megjithatë, ky element nxjerr në pah edhe sesi vetë presidenti rus Vladimir Putin i trajton zhvillimet në frontin e luftës. Nëse lideri rus nuk do të ishte i shqetësuar për kthesën që kanë marrë zhvillimet në fushëbetejë, ai nuk do të kishte bërë një lëvizje të tillë, sipas Krugman.
Tani, pas embargos de facto ndaj eksporteve të gazit natyror, askush nuk do ta trajtojë më Rusinë si një partner tregtar të besueshëm, siç vëren ekonomisti amerikan, në Neë York Times. Megjithatë, Putini duket i gatshëm të përballojë këtë kosto në një përpjekje për të frikësuar Perëndimin me qëllimin përfundimtar për të reduktuar mbështetjen për Ukrainën.
Gjashtë muaj më parë, kishte ende shumë debate nëse Evropa mund ose duhet të ndërpresë importet e energjisë nga Rusia. Aktualisht, megjithatë, vetë Rusia ka zgjedhur në mënyrë efektive të ndalojë këto eksporte, raporton abcnews.al.
Sa i përket Evropës, ajo duket e gatshme të përgjigjet duke bërë atë që demokracitë bëjnë gjithmonë kur përballen me inflacionin e kohës së luftës: vendosjen e taksave emergjente, kontrollin e çmimeve dhe ndoshta racionimin.
Problemi aktualisht është kryesisht evropian, vë në dukje Krugman në analizën e tij, duke theksuar se si vetë Evropa e ka lejuar veten të bëhet e varur nga gazi natyror rus vitet e fundit.
Megjithatë, Evropa aktualisht ka rezervuar sasi të gazit natyror që, të kombinuara me masat e kursimit të energjisë që po promovohen dhe sigurimin e burimeve alternative të furnizimit me energji, nuk do ta lënë atë të “thyhet” në dimrin e ardhshëm, sipas Krugman.
Pra, problemi kryesor, siç vëren ekonomisti amerikan, është ekonomik dhe social.
Çmimet e gazit në Evropë janë rritur dhe ndërsa blerësit i drejtohen burimeve alternative, çmimet e burimeve të tjera të energjisë, përfshirë ato bërthamore, të rinovueshmet dhe qymyrin, janë rritur gjithashtu.
Evropa po përballet me mungesë energjie. Çmimet më të larta ofrojnë stimuj për të zbutur këto mungesa. Konsumatorëve u kërkohet të ulin termostatet, të përmirësojnë izolimin dhe të veshin pulovra. Prodhuesit e energjisë, nga ana tjetër, u kërkohet të maksimizojnë prodhimin.
Megjithatë, siç vëren Krugman, në një kontekst të tillë, prodhuesit e energjisë, kostot e funksionimit të të cilëve nuk janë rritur do të korrin fitime të mëdha, ndërsa shumë familje dhe disa biznese do të përballen me shkatërrim financiar nën barrën e faturave të larta.
Por Evropa ka ende sindikata të forta dhe disa prej tyre do të jenë në gjendje të kërkojnë rritje pagash për të kompensuar rritjen e kostos së jetesës, e cila megjithatë mund të çojë në një spirale të inflacionit, siç paralajmëron Krugman.
Në lidhje me këtë , qeveritë mund të fillojnë të kërkojnë kursim të energjisë elektrike apo të dekurajojnë konsumin përmes çmimeve të larta nga njëra anë, por edhe të mbështesin familjet në nevojë nga ana tjetër.
Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen njoftoi të mërkurën masa të mundshme, duke propozuar, ndër të tjera, një ulje të përdorimit të energjisë elektrike, pagesën e një takse solidariteti nga kompanitë e karburanteve fosile dhe një kufizim në të ardhurat e kompanive që prodhojnë energji elektrike me kosto të ulët.
Paul Krugman thekson se von der Leyen nuk është kreu i qeverisë. Sipas ekonomistit amerikan, megjithatë, masat e propozuara nga Presidenti i Komisionit ndoshta japin një ide mjaft të mirë se ku po shkon Evropa.
A mund të funksionojnë këto masa në praktikë? Krugman beson se në fakt janë detajet se si do të aplikohen këto masa që do të caktojnë nëse do të kenë sukses apo jo.
Tani për tani, mbrojtja e familjeve në nevojë dhe ruajtja e parimit të drejtësisë ndaj qytetarëve, duhet të kenë përparësi, përfundon ai. /abcnews.al