Pika e kalimit të kufirit, Rips Abelonas, në juglindje të Shqipërisë është për këmbësorët.
Në njërën anë, bashkia e Finiqit, dhe në anën tjetër, Abelonas, apo Ampelonas në anën e Greqisë.
Rruga nga Finiqi përmes fshatrave Vargalat, Karroq, të çon drejt pikës së kalimit të kufirit. Zona e bashkisë së Finiqit, në antikitet ky vend ishte pjesë e territorit gjeografik të banuar nga kaonët. Kryeqytet i saj ishte Foenikes nga ku merr emrin edhe bashkia e sotme.
Gjatë periudhës otomane ishte pjesë e sanxhakut të Delvinës dhe më pas i Pashallëkut të Janinës. Bashkia e Finiqit shtrihet në zonën bujqësore të fushës së Vurgut. Banorët e zonës i përkasin minoritetit grek. Infrastruktura e komunës është përmirësuar gjatë dy dekadave të fundit falë investimeve të shumta ndërkufitare por emigrimi ka larguar nga zona pjesën më të madhe të popullsisë, veçanërisht të rinjtë, duke lënë pas të moshuarit.
Mihal Loli është një prej tyre, një burrë i urtë që na pret në kafenenë e vogël të qytezës. “Rrojmë mirë,” na thotë Mihali, që megjithatë ankohet për mënyrën sesi flitet gjuha shqipe në media. “E flasin gjuhen “si ujë”, na thotë, duke kërkuar që gazetarët e televizioneve të flasin më ngadalë dhe më “shkoqur”. Na bashkëngjitet edhe Spiro Vasili, që na pyet nëse do të flasim greqisht apo shqip. Biseda vazhdon në shqip dhe e pyesim si kalojnë me shqiptarët në këtë zonë minoritare. “Me shqiptaret kemi qene ne ato kohe, jemi edhe sot”, përgjigjet pa u menduar fare. “Kam ngrënë buke me shqiptaret”, shton. Alma Kallushi dhe Leonidha Qendro, janë shqiptarë, por jetojnë për bukuri me minoritarët këtu.
“Të gjithë bashkë, jetojmë me minoritaret, pa probleme”, na thonë.
Në anën tjetër të kufirit shtrihet Ampelonas apo Abelonas, apo Povla, në komunën e Filatit. Fshati ka pak më shumë se 50 banorë. Është pjesë e komunës së Filatit dhe në lashtësi banohej nga fisi i kaonëve.
Kufizohet me Janinën dhe jugun e Shqipërisë. Më tej, qyteti më I afërt është Parga e bukur, në një gji idilik të detit Jon. Parga ndodhet në pjesën veriperëndimore të qarkut të Prevezës. Është ndërtuar si një amfiteatër rrëzë brigjeve të detit Jon, me malin Bexhevoli në sfond.
Parga është rreth 68 km larg nga Preveza dhe 40 km nga Gumenica dhe ndodhet përballë ishujve piktoreskë Pakso dhe Antipakso.
Spiro Miçulis na përshëndet në shqipen e vjetër. Është ulur në sheshin kryesor të Pargës për të pirë kafenë e mëngjesit. “Këtej jam, nga Parga”, na thotë në një shqipe të bukur dhe të ëmbël, që duket sikur vjen nga thellësitë e kohëve. “Mire është, shumë mirë është këtu, po ke një punë të mirë”, shton.
Janis Stamatis na flet për shqiptarët e ardhur në Parga pas viteve 90’të. “Kanë rritur fëmijët këtu, shqiptaret ne Parga punojnë shume”, na thotë me krenari. Jorgos Dheskas shton se kanë mbetur rreth 25 familje shqiptare ne Parga.
Jorgos kërkon që i gjithë Ballkani të jetë i hapur. Nikos Ikonomu ka ardhur në Parga për të pushuar, ka takuar shqiptarë dhe ka vizituar Shqipërinë. “Shqiptarët shume të mirë, por ka shume këtu”, na thotë.
Niko Zota ka ardhur nga Patosi në Parga. “Mbaj veten me buke, familjen e kisha këndej, kanë shkuar në Shqipëri”, na thotë. E pyesim për Shqipërinë. “Të merr malli për Shqipërinë sa nuk ke çfarë bën”, është përgjigja.
Artan Haskja punon me Nikon. “Do kthehem në Shqipëri, shkoj tre herë në vit”, na thotë shkurt.
“Llafosim në gluhë shqip” me Niko Gjika në një restorant të vogël në breg të detit.
“Shqipen e flas mire, po jo shume mire”, na thotë me një shqipe të bukur, të vjetër, të rrjedhshme, që duket sikur mban brenda mallin e një kohe të largët. “Unë kam këtë dyqan këtu, këtej, mire…Kam vajtur dy herë në Shqipëri, shume e bukur vend”, na thotë Niko Gjika, duke parë drejt valëve që përplasen me muret e kalasë së Pargës.
Kështjella mesjetare e Pargës mbron anën jugperëndimore të qytezës. Përballë qytezës, është një ishull piktoresk ku ndodhet Kisha e Shënmërisë dhe ka ndërtesa mesjetare të periudhës venedikase dhe asaj franceze. Këtu ka qëndruar edhe perandori romak Oktavian, i cili e kishte vendosur flotën e tij në këtë gji, gjatë luftës me Mark Antonin.