Raundi i ri i bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së emrit pritet të mbahet më 17 janar në Nju-Jork, konfirmoi Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme.
Qeveria maqedonase theksoi se shpresonte për një propozim specifik nga OKB-ja, më 17 janar, për një zgjidhje të mosmarrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit për emrin e ardhshëm të Maqedonisë, për të cilin dy kryeqytetet kanë nisur kërkimet.
Është parashikuar që ndërmjetësuesi i OKB-së, Methju Nimic të takohet me negociuesit nga Maqedonia dhe nga Greqia, respektivisht Vasko Naumovski dhe Adamantios Vasilaqis.
Ky afat u vendos nga zëvendëskryeministri maqedonas i ngarkuar me Çështjet Evropiane, Bujar Osmani në përfundim të takimeve në Athinë me kreun e diplomacisë greke, Nikos Kotzias.
Raundi i fundit i bisedimeve për emrin, pas bllokimit trevjeçar, u mbajt në Bruksel më 11 dhe 12 dhjetor.
Ndërmjetësuesi i OKB-së për këtë çështje, Nimic do të zhvillojë takime çdo muaj me negociuesit, me qëllim që të gjendet zgjidhje.
Raundi i ri i bisedimeve vjen në periudhë të aktiviteteve të intensifikuara dhe optimizmit në Shkup, Athinë, Bruksel dhe Uashington, për mbylljen përfundimtare të çështjes për emrin që zgjat prej dy dekadash.
Kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, në ditët e kaluara deklaruan se ekzistojnë mundësi që të gjendet zgjidhje për kontestin në gjysmën e parë të vitit 2018./abcnews.al