“Njolla gjaku në bluzën e Dan Hutrës”, 40-vjeçari para gjykatës: Kisha motivet e mia

schedule11:14 - 4 Mars, 2023

schedule 11:14 - 4 Mars, 2023

Dan Hutra, autori i masakrës së ndodhur disa ditë më parë në Tiranë ku vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera, ka dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Gazetari i Abc News, Ermal Vija raportoi se Hutra ishte i qetë dhe kishte veshur bluzën që kishte pasur kur kreu vrasjet, teksa në të dalloheshin edhe njolla gjaku.

“Seanca ka nisur prej rreth 30 minutash. Në orën 10:30, Dan Hutra është shoqëruar nga efektivë të policisë në ambientet e gjykatës, atje ku do të njihet me cakimin e masës së sigurisë, ku në fakt prokuroria ka kërkuar atë të “Arrestit me burg”, për disa vepra penale. Hutra, në momentet e para që është paraqitur në ambientet e gjykatës, ka qenë i qetë dhe duket që mban të njëjtën bluzë, ku kishte edhe njolla gjaku. Ai shfaqet i qetë përballë gjykatës, i rrethuar nga forcat e policisë”, theksoi gazetari Vija.

Ndërkaq, gjatë seancës, Hutra ka pranuar krimin, ku deklaroi se vrasjet i kishte planifikuar dhe shtoi se kishte motivet e tij. Hutra u shpreh se nuk i ka bërë asgjë ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, ndaj sipas tij, dënimi për dhunën në familje ka qenë i kotë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!