Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado thotë se projektligji që do të njohë automatikisht vitet e punës në kooperativë gjatë periudhës së komunizmit, vjen në një moment të artë.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Hado u shpreh se ka pasur probleme me dokumentacionin, ku shpeshherë ka qenë jo i plotë, i falsifikuar, apo edhe i djegur.
Ndër të tjera, Hado shtoi se në pension, çdo vit dalin në pension 40 mijë qytetarë, të cilët do të ndikohen nga ky projektligj.
“Pse tani? Tani është momenti i artë që ky projektligj të zbatohet. Nga ky vit, deri sa të shuhet historiku i vjetërsisë në punë të periudhës së komunizmit, duhen rreth 15 vjet. Duke parë kostot që shkaktohen për shkak të gjyqeve, numrit të lartë të ankesave, dhe mos njohja e disa viteve të vjetërsisë në punë për shumë arsye, është momenti më oportun që ky projektligj të hyjë në fuqi. Qytetarët do jenë të lumtur dhe performanca institucionale do jetë e mirë. Sigurisht që janë njohur, por për shkak të një dokumentacioni, i cili nuk është plotësuar rigoroz sipas ligjit dhe nuk është ruajtur në kushte optimale, për shkak të problematikës të politikave sociale që ka kaluar Shqipëria në këto 30 vite tranzicion, ne kemi dokumentacion i cili është i paplotë, i falsifikuar, apo edhe i djegur. Një pjesë e personave që kanë qenë përgjegjës, nuk i kanë respektuar në mënyrë rigoroze, parimet e mbajtjes së dokumentacionit në punë. Shpeshherë përballemi me emra të ndryshëm. Këto janë anomali që krijojnë sorollatje për qytetarët, janë edhe objekt gjyqesh. Jo të gjithë ata që dalin në pension kanë të njëjtën problematikë. Janë 40 mijë persona që dalin në pension çdo vit. Të 40 mijë vetat ndikohen. afektohen nga ky ligj”, theksoi ai./abcnews.al