Njohja e pensioneve me Italinë/ Qeveria çon për ratifikim në Kuvend, marrëveshjen

schedule19:09 - 9 Prill, 2024

schedule 19:09 - 9 Prill, 2024

Qeveria ka çuar për ratifikim në kuvend marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Italinë. Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave vendosi të dërgojë në parlament për shqyrtim dhe miratim projektligjin për njohjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë të firmosur mes dy vendeve më 6 shkurt të këtij viti.

Nga kjo marrëveshja do të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë që janë kontribuues të sigurimeve shoqërore në Itali prej më shumë se tre dekadash. E njëjta gjë edhe vlen për italianët që jetojnë e punojnë në Shqipëri.

Marrëveshja e cila nisi të negociohej 15 vite më parë u firmos në Romë nga ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe homologu italian Antonio Tajani.

Sipas kësaj marrëveshjeje qytetarët do të trajtohen në mënyrë të barabartë në të dy shtetet. “Çdo shqiptar që është rezident dhe ka paguar kontribute në vendin fqinj do të trajtohet njëlloj si një italian. E njëjta gjë do të vlejë dhe për italianët që punojnë në Shqipëri. Në llogaritjen e shumës së pensioneve që do të përfitohen do të merren në konsideratë vitet e punës në secilin shtet”.

Nga marrëveshja e pensioneve me Italinë pozitiv është edhe fakti se aplikimi bëhet nga vendi rezident dhe procedurat nuk do të kenë asnjë kosto.

Aktualisht Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për njohjen e pensioneve me 16 shtete dhe është në negociata me 17 vende të tjera përfshirë Holandën dhe Francën. Kërkesa i është dërguar edhe Britanisë së Madhe.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!