Njihuni me Denata Ndrecën, poeten shkodrane në Firence!

schedule18:07 - 19 Janar, 2021

schedule 18:07 - 19 Janar, 2021

Nga Enkeleda Bodini

Historitë e suksesit të shqiptarëve jashtë vendit, nuk kanë të sosur. Janë shqiptarë që gjithmonë me punën e tyre kanë ngritur lartë emrin e vendit tonë. Një prej këtyre figurave të shquara është edhe autorja shkodrane, Denata Ndreca e cila prej shumë vitesh jeton e punon në Itali.

Ajo, në një intervistë për abcnews.al ka rrëfyer jetën dhe karrierën e saj në Itali. Si shumë bashkëkombas të tjerë është larguar nga Shqipria në vitin 1999. Atë kohë Denata kishte përfunduar studimet në Universitetin e Shkodrës, ndërkohë që shkruante e botonte në Revistën Pioneri si dhe fliste në Radio Shkodrën.

Pavarësisht se ishte e formuar për moshën që kishte, sërish nuk e shihte të ardhmen e saj të sigurt në Shqipëri, për shkak të situatës që vendi po kalonte pas 1997. Kështu vendosi të ndërmarr vendimin e vështirë për ta lënë atdheun. Të nisesh në një vend të huaj, nuk ka qenë kurrë e lehtë për askënd, as për Denatën, e cila e kujton kështu, atë kohë: “Vështirësitë kanë qenë të mëdha, si për shumë nga ne. Pas atij udhëtimi nga porti i Durrësit në atë të Barit – me një biletë pa kthim, një tjetër jetë më priste. Me vete kisha vetëm një çantë të verdhë, e brenda një libër me poezi të zgjedhura të Nerudës. Kjo ishte e gjithë bota ime, ëndrrat e mia të bëra palë palë e më vonë të shkyera copë e copë”.

Edhe pse sfidat qenë të mëdha, Denata sërish diti si t’ia dalë. Ajo përfundoi edhe Universitetin për “Shkenca të Formimit dhe Psikologji Zhvillimi” në Firence, ndërsa të shkruante ishte pasioni i saj më i madh.

“Mbijetesa nuk i lë shumë vend ëndrrave, por nganjëherë janë vetëm ëndrrat ato që na ndihmojnë të mbijetojmë e të ecim përpara pa humbur identitetin tonë. Koncept ky që do më shoqërojë gjithmonë. E megjithëse me vështirësi të mëdha, nuk u shkëputa dot nga vetja ime, nga ajo që doja të isha e nga ajo që jam. Nuk u shkëputa dot nga poezia, sepse është e gjithë qenja ime”, shprehet poetja.

Në vitin 2003, Denata botoi librin e saj të parë me poezi: “Rreth meje”, pastaj “Pa frikë”; “Një far në mjegull”; “Kohë e mohueme”; “Luledimër”; “Vajza e Urës së Vjetër”. Gjithashtu dhe librat për fëmijë “Karroca magjike” që i drejtohet botës së sëmundjeve për fëmijë; “Jam unë” që trajton temën e racizmit me gjuhën e më të vegjëlve, pëkthime etj.

Poezia është gërshetuar me të, si të ishte një pemë, dhe kur të kërruset ngadalë ngadalë nga vitet që ikin, ajo do të bëhet më e fortë. Poezia është vazhdimësia e saj, pa të nuk bën dot.

Denata është vlerësuar me shumë çmime të rëndësishme, por e quan kohë të humbur të flasë për ta, pasi për të, çmimet më të bukura janë dhe do të mbesin njerëzit, lexuesit dhe dashuria e tyre, si dhe emocionet që ata çdo ditë i dhurojnë.

Denata është një poete që vazhdon të ecë përpara, por kokën nuk harron ta kthejë nga vendi i saj, dhe sa herë e ndjen dhe e sheh të arsyeshme. Për të Shqipëria është atdheu, e Shkodra shtëpia, kujtimet, fëmijëria.

“Shkodra është dallga e ndaluar e liqenit, oborri me luledimër e lulebore”, thotë Denata, për abcnews.al.

Çdo ditë ajo mundohet të japë kontributin e saj si grua, si nënë, si një njeri që kërkon t’i rrijë pranë kujtdo ka nevojë. Gjithashtu dha dy këshilla të vyera për të rinjtë; e para është të mësoni të lexoni fjalët e pashkruara, sepse ato të shkruarat dijnë t’i lexojnë të gjithë dhe e dyta: Mos harroni se shkruhet mbi lëkurën e trupit… dhe jo mbi fletë, sepse vetëm kështu mund të jeni të vërtetë.

Denata është një shqiptare me të cilën të gjithë krenohemi. Ajo ndau historinë e saj me ne, duke treguar se gjithmonë mund t’ia dalësh, nëse nuk resht se punuari për ëndrrat./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!