Bigamia është një realitet në Shqipëri, edhe pse e ndaluar me ligj, ndërsa shoqëria reagon në forma të ndryshme ndaj saj.
Në “Abc-ja e Mëngjesit” të ditës së sotme në ABC, u prezantua historia e pabesueshme e Abdylit, një siriani që jeton prej më shumë se 20 vitesh në Shqipëri. Këtu ka gjithçka, palestrën e tij, fëmijët, shoqërinë, por edhe dy gra.
Ai është kampion në bodybuilding në Siri dhe Shqipëri dhe palestrën e ka hapur në fillim duke salduar vetë pajisjet.
Në lidhje me këtë tematikë, sot në “Abc-ja e Mëngjesit” ishin socialogia Edlira Çepani dhe pastori Akil Pano.
Sociologia tha se kjo nuk është vetëm një çështje ligji, por dhe edukimi për të kuptuar se bigamia nuk është e shëndetshme për familjen dhe shoqërinë.
Ajo u shpreh se në vendin tonë në krahasim me vendet e tjera, kur bigamia përbën vepër penale, shteti është mjaftuar vetëm me faktin për ta konsideruar një martesë të dytë të pavlefshme. Gjithashtu, bëri thirrje që institucionet përkatëse duhet të investojnë tek vlerat që njerëzit të kuptojnë që marrëdhëniet e tilla çojnë drejt shthurjes së një shoqërie.
“Janë të dhunuara psikologjikisht që qëndrojnë me bashkëshortin e tyre dhe për shkaqe sociale si dhe të edukatës në të cilën janë rritur në këto raste. Është i rëndësishëm edukimi dhe ndërgjegjësimi të një shoqërie të tërë, sepse ai që nuk ka edukimin e duhur nuk mund ta dijë se nuk është e shëndetshme për marrëdhënien në çift.“, u shpreh psikologia.
Më tej, pastori Pano tha se “Nuk besoj në martesë me kohë të pjesshme, mund të ketë shkollë, punë me kohë të pjesshme por jo një martesë pasi ne e dimë që kërkon shumë angazhim, një përfshirje dhe një investim të gjithëkahshëm. por dhe një element tjetër që është sensi i përkatësisë. E kam të vështirë ta kuptoj që një grua të mund të ndajë bashkëshortin e saj me një grua tjetër.”
“Nuk është vetëm bindje mekanike, por dhe shpirtërore dhe në momentin që këto i dhunojmë jeta jonë shpirtërore fillon dhe ka një përmbysje të madhe. Burri duhet ta duajë gruan siç Krishti e deshi Kishën dhe e dha veten e tij për të. Pra ta investosh veten në një marrëdhënie jo vetëm emocionalisht por në të gjitha dimensionet.”, u shpreh pastori. /abcnews.al