Shpesh qëndron në hije, për t’u shfaqur papritur vendimtar.
Arbër Hoxha është një mishërim i atij lloj futbollisti që ka talent të madh, por shpesh nuk ka qëndrueshmëri dhe kjo i ka prishur punë në elitën e Kroacisë, ndonëse këtë fundjavë pati një moment vërtet të madh.
Ylli i kombëtares shqiptare shënoi një gol të shkëlqyer, krejt personal, në derbin e Kroacisë, Hajduk-Dinamo, luajtur në Split.
Shpërthimi i tij në minutën e fundit të pjesës së parë I hapi rrugën fitores tepër të rëndësishme 2-0, që i jep skuadrës nga Zagrebi vendin e parë në kampionatin kroat me 16 pikë, 3 më shumë sesa Hajduku, ku bën pjesë futbollisti tjetër i Shqipërisë, Adrion Pajaziti.
Në vendin ballkanas, Hoxha njihet si njeriu i golave “të rëndë”.
Në 2023-2024 ishte vendimtar në duelin për titull, pikërisht në stadiumin “Kantrida” në fushën e Rijekës, vetëm tre minuta pasi hyri në fushë.
Shqiptari shënoi një gol personal, fiks sipas tipit dhe karakterit që ka, duke fituar duelet një për një, e duke vulosur titullin tri javë para fundit.
Po atë sezon, Hoxha shkëlqeu në finalen e Kupës së Kroacisë, duke e fituar trofeun. Në duelin sërish në fushën e Rijekës, 26-vjeçari me origjinë nga Kosova shërbeu dy asistë në fitoren 3-1.
Sezonin e kaluar pati 3 gola dhe 3 asistë në 31 ndeshje, dhe nuk ishte ndër zgjedhjet kryesore të trajnerit, ndonëse mbeti në skuadër.
Ndërkaq, kë 6 ndeshje në Ligën e Parë të Kroacisë këtë sezon ai ka 1 gol dhe 1 asist. Ka qenë në fushë në vetëm 14 për qind të ndeshjeve titullar, ndonëse ka luajtur 35 për qind të minutave, por shpresohet që tashmë ta bindë trajnerin Mario Kovaçeviç që ta aktivizojë më shumë.

