Njeriu i arrestuar për vrasjen e mësueses në Irlandë lirohet

schedule02:57 - 14 Janar, 2022

schedule 02:57 - 14 Janar, 2022

Një burrë i arrestuar për vrasjen e një mësueseje në qytetin Tullamore në Irlandë është liruar dhe nuk është më i dyshuar, tha policia irlandeze. Ata thanë se 40-vjeçari ishte eliminuar nga hetimet e tyre. Mësuesja Ashling Murphy, 23 vjeç, u sulmua në brigjet e Kanalit të Madh jashtë qytetit të mërkurën pasdite dhe vdiq në vendngjarje.

Policia tha më parë se ata besonin që ajo ishte vrarë nga një burrë që veproi vetëm. Një ekip prej më shumë se 50 policë u caktuan për hetimin e vrasjes dhe një dhomë incidentesh u ngrit në qytetin Tullamore. “Asnjë gur nuk do të lihet pa lëvizur për të sjellë para drejtësisë autorin e këtij krimi”, tha Kryeinspektori Eamonn Curley.

Në një konferencë për shtyp nga vendi i ngjarjes, ai tha se zonja Murphy pësoi lëndime të rënda nga një sulm që ishte bërë ndaj saj. Një ekzaminim post mortem është kryer për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes së saj, por policia tha të enjten në mbrëmje se rezultatet nuk do të publikoheshin “për arsye operacionale”. Detektivët kanë apeluar për informacione në lidhje me një biçikletë malore Falcon Storm.

Ata thanë gjithashtu se dëshironin të flisnin me këdo që kishte qënë pranë skenës së vrasjes raporton “BBC”. Policia u paraqit në vendngjarje dhe gjeti zonjën Murphy me lëndime të rënda pasi një qytetar i mori në tel rreth orës 16:00 për ti njoftuar mbi ngjarjen që kishte ndodhur. Asaj iu dha kujdes mjekësor, por nuk mundi të shpëtohej.

Zonja Murphy punoi në Shkollën Kombëtare Durrow dhe ishte gjithashtu një muzikante e talentuar dhe anëtare e Orkestrës Folklorike Kombëtare të Irlandës. Drejtori i saj James Hogan i tha “Virgin Media News” se komuniteti i shkollës ishte “i shkatërruar dhe i mpirë”. Ai tha se ajo ishte si një “dritë shkëlqyese” fytyra e së cilës ndriçonte dhomën kur ajo hynte dhe tha se shkolla po punonte për të mbështetur stafin dhe studentët. / abcnews.al