Njëri kontrollonte rrugën, dy të tjerë shisnin lëndën narkotike, arrestohen 3 persona në Gjirokastër. Gjenden 87 pako drogë

schedule09:45 - 9 Dhjetor, 2022

schedule 09:45 - 9 Dhjetor, 2022

Tre persona janë arrestuar nga policia e Gjirokastrës me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Personat e arrestuar kishin përshtatur automjetin  për të fshehur lëndën narkotike me qëllim trafikimin e saj.

Njëri prej të arrestuarve kontrollonte rrugën në mënyrë që mos hasnin në asnjë pengesë me policinë, ndërsa dy personat e tjetër e ndiqnin nga pas.

Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se është arrestuar M. Ç., 37 vjeçe dhe S. Rr., 39 vjeç, të dy banues në Gjirokastër si dhe F. T., 37 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në aksin nacional “Ersekë – Tre urat”, Përmet, automjetin tip “Volvo”, me drejtues shtetasin S. Rr. dhe pasagjere shtetasen M. Ç.

Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në vende të përshtatura, 87 pako të mbushura lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 70 kg.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin F. T., i cili kontrollonte rrugën, me qëllim për të sinjalizuar 2 shtetasit e tjerë, për prezencën e shërbimeve të Policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 70 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 2 automjete dhe 7 aparate celulare.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim

/Abcnews.al/