Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka bërë një kërkesë të pazakontë ndaj Komisionit të Zgjedhjeve për votimin jashtë vendit. Kryediplomatja Donika Gërvalla në një letër ka bërë një kërkesë që edhe në përmbajte është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ministria e Jashtme ka propozuar që në Nju Jork të ShBA-së si qendër e votimit të shndërrohet edhe një xhami. Por një propozim i tillë është në kundërshtim me Rregulloren Zgjedhore për Themelimin dhe Menaxhimin e Qendrave të Votimit.
Në nenit 2 të kësaj rregullore thuhet se vendndodhja e qendrave të votimit nuk duhet të jetë në objekte fetare. Pasi KQZ-ja ia ka refuzuar memorandumin, me të cilin kërkonte kompetenca në organizimin e zgjedhjeve në diasporë, Gërvalla ka bërë një hap tjetër.
Ajo i ka shkruar një letër kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniçit. Gërvalla i ka kërkuar kryetarit të KQZ-së edhe miratimin e hapësirave të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore për organizimin e votimit jashtë Kosovë.
Por letra e ministres Gërvalla është në shkelje të plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme. Letra është në kundërshtim edhe të vendimeve të institucioneve të drejtësisë, pasi çështja të cilën kjo ministri e ka çuar në KQZ është shqyrtuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Gjykata Supreme, Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit.
Të gjitha këto institucione i kanë dhënë të drejtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Letra vjen vetëm dy javë pasi KQZ-ja refuzoi kërkesën e Ministrisë së Jashtme për kompetenca në organizimin e zgjedhjeve në diasporë.
/abcnews.al/