Një vit nga sulmi i Hamasit, Netanyahu zotohet të mposhtë ‘armiqtë’ e Izraelit

schedule07:40 - 7 Tetor, 2024

schedule 07:40 - 7 Tetor, 2024

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua të dielën se do të mposhtte “armiqtë” e vendit të tij, një javë pasi ushtria izraelite nisi operacionet tokësore kundër Hezbollahut në Liban dhe ndërsa Izraeli përkujtoi viktimat e sulmit që filloi një vit më parë, duke ndezur luftën Rripin e Gazës.

Në Tel Aviv, turmat u mblodhën për të ndezur qirinj dhe për t’u lutur në kujtim të të dashurve të tyre të vrarë më 7 tetor 2023, në një sulm të paprecedentë nga militantët e Hamasit në Izraelin jugor.

Pas dobësimit të Hamasit gjatë sulmeve në Rripin e Gazës, Forcat e Armatosura izraelite (IDF) së fundmi i kanë përqendruar operacionet e tyre në frontin verior, ku Hezbollahu i Libanit ka shtuar sulmet me raketa ndaj Izraelit në shenjë mbështetjeje për Hamasin.

Të dielën mbrëma, pas një paralajmërimi të IDF për banorët e periferive jugore të Bejrutit, agjencia e lajmeve ANI e Libanit raportoi katër sulme ajrore në zonë, e cila është një bastion i Hezbollahut dhe është goditur nga Izraeli ditët e fundit.

Nga ana e tij, Hezbollahu gjuajti raketa në Haifa, në Izraelin verior, duke plagosur të paktën pesë persona, sipas Times of Israel.

“Së bashku do të luftojmë dhe së bashku do të fitojmë”, deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë vizitës së tij tek ushtarët e vendosur në veri të Izraelit, përgjatë kufirit me Libanin.

“Një vit më parë, ne morëm një goditje të tmerrshme”, tha ai, duke iu referuar sulmit të Hamasit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!