Një vit nga 30 qershori, si ranë kryebashkiakët problematikë të PS, PD sytë nga Kushtetuesja

schedule16:39 - 30 Qershor, 2020

schedule 16:39 - 30 Qershor, 2020

Në 30 qershor të 2019 në Shqipëri pas dy dekadave pluralizmi politik, shqiptarët për herë të parë u ftuan të shkonin në kutitë e votimit për të zgjedhur drejtuesit e tyre vendor me vetëm një alternativë, kandidatët e Partisë Socialiste.

Në një vit me ngjarje të ngjeshura politike të cilat kulmuan me djegien e mandateve parlamentare nga opozita dhe më pas me një tentativë të kreut të shtetit për anulim të datës së zgjedhjeve, 30 qershori rrezikonte të shndërrohej në një përplasje të fortë fizike mes socialistëve që u zotuan t’i shkojnë procesit deri në fund dhe opozitarëve që kërkonin një datë të re për zgjedhjet, pa Edi Ramën kryeministër.

Por me paralajmërimet e forta të ndërkombëtarëve për të mos pasur incidente dhe bindjen e opozitarëve se zgjedhjet do të ishin të pavlefshme, 30 qershori rezultoi të ishte një ditë e qetë me një pjesëmarrje të ulët zgjedhësish.

Afro 1 muaj pas këtij procesi të pazakontë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet për të 61 bashkitë e vendit, ku siç edhe pritej pushteti vendor kaloi i gjithi në duart e kandidatëve socialistë.

Njësoj si përpjekja për të ndaluar zgjedhjet e 30 qershorit, edhe përpjekja e disa kryebashkiakëve në detyrë për të bllokuar dyert e bashkive dështuan njëra pas tjetrës.

Por edhe pse u bënë gati të merrnin të gjithë pushtetin në dorë disa prej socialistëve nuk i’a dolën edhe pse në 30 qershor rezultuan fitues në kutitë e votimit. I pari që nuk mundi të hyjë dot në zyrë ishte Valdrin Pjetri, kandidati socialist i Shkodrës.

Partia Demokratike publikoi dokumentet e një dënimi të tij në Itali dhe pavarësisht zotimeve për pafajësi Pjetri dha dorëheqjen pa e marrë ende detyrën, duke i’a lënë drejtimin e Bashkisë sërish Voltana Ademit, e cila qëndron në krye të Bashkisë edhe 1 vit pas 30 qershorit, pavarësisht se nuk mori pjesë në ato zgjedhje.

Valbona Sako u zgjodh në krye të Bashkisë së Durrësit për të zënë vendin e Vangjush Dakos që e kishte drejtuar prej 12 vitesh Durrësin. Por tërmeti i 26 nëntorit dhe një deklaratë e shkujdesur në media për pasojat e asaj fatkeqësie natyrore e çoi drejtë dorëheqjes Sakon, vendin e të cilës e zuri nënkryetari Zhyljen Varfaj.

Por në prill të këtij viti edhe Zhyljen Varfaj u dorëhoq nga detyra për t’i hapur rrugë një tjetër nënkryetareje Emirjana Sakos.

Të njëjtin kalvar pati edhe Bashkia e Vorës.  Pas publikimit të dokumentave nga Partia Demokratike dhe hetimeve të Prokurorisë, Agim Kajmaku u largua nga detyra dhe vijon t’i fshihet drejtësisë, ndërsa zyra iu la me një shkresë në ditën e fundit nëkryetarit Gentian Picari.

Por kur gjykata e shpalli këtë të fundit të paligjshëm, drejtimin e bashkisë e mori nënkryetari Hekuran Brahimi. Rrogozhina nuk kishte një kryebashkiak me të kaluar kriminale, por pavarësisht kësaj bashkia në qarkun e Tiranës nuk ka aktualisht një kryetar pasi socialisti Haxhi Memolla i zgjedhur në 30 qershor ndërroi jetë pas një infarkti në shkurt të këtij viti.

Në pikëpyetje pas denoncimeve të demokratëve u vendosën edhe mandatet e kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj dhe ai i Librazhdit, Kastriot Gurra.

Por pas hetimeve të Prokurorisë, KQZ vendosi t’i lejojnë të jenë në detyrë. Në hetim vijon të jetë mandate i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Ndërsa për drejtuesin vendor të Vaut të Dejës, Mark Babani pavarësisht denoncimit të demokratëve asnjëherë organi i akuzës nuk nisi një hetim të plotë.

Me 4 kryebashkiakë në mungesë dhe 57 bashki të drejtuar nga socialistët, Gjykata Kushtetuese do të jetë institucioni që do të vulosë fatin e 30 qershorit, zgjedhjeve të para që u zhvilluan pa pjesëmarrjen e opozitës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!