“Një tur i paprecedentë,” kryeministri i Spanjës viziton Ballkanin Perëndimor, Kosova lihet jashtë agjendës

schedule11:14 - 29 Korrik, 2022

schedule 11:14 - 29 Korrik, 2022

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez do të nisë këtë të premte një turne katërditor në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas asaj që raportojnë mediat në vend, agjenda e udhëtimit në Ballkan do të përfshijë Beogradin, Sarajevën dhe Mostarin, Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën.

Listës sigurisht i mungon Kosova, të cilën Spanja nuk e njeh ende si shtet të pavarur.

Kjo është hera e parë që kreu i qeverisë spanjolle bën vizitë në vendet e rajonit përveç Bosnjë-Hercegovinës dhe, siç raportojnë mediat në vend,  me këtë turne të paprecedentë, Sánchez synon të tregojë rëndësinë që Spanja i kushton marrëdhënieve dypalëshe politike, ekonomike dhe kulturore me vendet në fjalë dhe për rrugën që ata kanë ndërmarrë për të qenë pjesë e së ardhmes së BE-së.

Në samitin që u mbajt muajin e shkuar në Bruksel, përpara se KE t’i jepte Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat, Sánchez ka mbështetur aspirtatat e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe ishte veçanërisht në favor të marrjes së statusit të vendit kandidat nga Bosnja Hercegovina.

Siç raportohet më tej në mediat e vendit, kreu i qeverisë spanjolle do të inkurajojë të gjitha vendet e Ballkanit që të avancojnë në reformat e nevojshme që u mundësojnë atyre t’i afrohen qëllimit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe do të përcjellë se kanë mbështetjen e Spanjës edhe kur kjo e fundit të marrë presidencën e  BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2023. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!