Pas “shtatlartit”, të qëndrës së mbrojtjes, tashmë, një tjetër futbollista shqiptar do të vihet nën urdhrat e teknikut, Jose Mourinho te Roma. Bëhet fjalë për 18-vjeçarin e sulmit, Kevin Zefi i cili në këtë sesion të merkatos është transferuar me të drejta të plota në “Verdhekuqtë” kryeqytetas, nga “Zikaltërit” e Inter.
Sulmuesi ishte në pronësinë e Inter aty ku shkëlqeu në sektorin e të rinjve “Zikaltër” duke u shndërruar në një prej golashënuesve kryesorë të Inter U18. Te Roma, Zefi do të ketë mundësinë për t’u stërvitur me skuadrën e parë dhe në sytë e “Special One”, në pritje të shansit “të artë” për të debutuar në elitën italiane, Serie A.
Këtë sezon, Roma ka pasur probleme në aspektin ofensiv teksa Paulo Dybala dhe Andrea Belotti nuk i kanë shpëtuar shqetësimeve fizike duke lënë të vetëm “bomberin” belg, Romelu Lukaku. Kështu, në rast se ia del të bindë në stërvitje, atëherë Zefi mund të ketë shansin për një rol prej protagonisti në pjesën e dytë të sezonit te Roma. /i.m /abcnews.al